Transmetuar më 07-10-2019, 10:46

Nga shkolla e Magjistraturës, në ceremoninë e diplomimit për magjistratët e rinj që nisin një rrugëtim të ri në sistemin e drejtësisë, kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku, në fjalën e saj dha mesazhin se sfida të mëdha i presin këta të rinj përpara dhe se këtë do ta kuptojnë shumë shpejt.

“Nuk duhet të notoni në vetë kënaqësi se ky nuk është fundi i rrugës, por fillimi i një rruge të gjatë me shumë sfida e vështirësi. Keni përfituar njohuri e eksperiencë të bollshme e këto ju bëjnë të ndiheni të fuqishëm e të përgjegjshëm.

Sistemi i drejtësisë është në reformim të thellë, edhe veshtirësitë janë shumë të mëdha. Unë jam e bindur se do ja dilni me energjitë e reja që do i sillni sistemit e do ndimoni në përmirësimin e imazhit të sistemit dhe tër imazhit të Shqipërisë gjë të cilën ne të gjithë e duam”, u shpreh Marku.

Ndërsa Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në fjalën e saj dha një mesazh për magjistratët që u diplomuan sot, duke I kërkuar atyre që me punën e tyre t’I kthejnë besimin qytetarëve te drejtësia.

“Shkolla e magjistraturës duhet ti kushtojë vëmendje integritetit të magjistratit për një sistem të paanshëm, të pa korruptuar. Ky element të jetë i ngulitur fort për çdo gjyqtar dhe prokuror të ri. Po kryhet një ndryshim rrënjësor. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia të bëjë një kthesë të madhe për një model të ri, që të eksportohet edhe në vendet e tjera. Duhet të riktheni besimin e publikut te drejtësia”, tha Gjonaj./b.l/noa.al/