Basha: Zgjedhjet garanci për ecjen përpara të Kosovës, populli votoi për ndryshim
Transmetuar më 07-10-2019, 10:09

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, për të cilat thekson se japin garanci për ecjen përpara të Kosovës, por njëherësh janë dëshmi para botës se Kosova është një demokraci funksionuese.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Basha, shkruan se populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik.

“Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Urimet më të përzemërta LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren. Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës.

Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cënuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndëkombëtare. Urime Kosovë!”, shkruan Basha./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...