Mbyllet numërimi i votave në Kosovë, Albin Kurti kryeministër: Dita të hapim kapitull të ri
Transmetuar më 07-10-2019, 09:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka bërë të ditur se ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve.

Numërimi i fletëvotimeve në vendvotime është përmbyllur mbrëmë, por vetëm procesimi i të dhënave nuk është bërë akoma për 4 për qind të vendvotimeve.

Kështu ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se këto janë rezultate preliminare, por do të bëjnë përpjekje që sa më shpejt t’i shfaqin të dhënat nga të gjitha vendvotimet.

Përndryshe, në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%.

E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%.

Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Albin Kurti foli në orët e para të ditës së sotme si kryeministër i ri i Kosovës duke i bërë ftesë për koalicion Vjosa Osmanit nga LDK-ja. Kurti tha se ftesa do të zyrtarizohet paraditen e sotme.

“6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuziazmit të tretë në vendin tonë e për popullin tonë. Entuziazmi i parë ishte ai i çlirimit të vitit 1999, i dyti ishte ai i shpalljes së pavarësisë më 2008 e tash tetori 2019 është entuziazmi i tretë. Është vala e re që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve. Ju sot keni votuar për ta shpëtuar shtetin tonë nga kapja e që s’lejuan që drama e kapjes të ketë fund tragjik. Hapim kapitull të ri me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë.

Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë kohë në këto 20 vjet. Sa mundësitë ishin të shpërdoruara. Sa shanset e shkuara huq, por tash erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës.

Erdhi dita për ju popull i dashur pa dallim a jeni nga fshati a qyteti, burrë a grua, të gjithë jeni të barabartë para ligjit e do të fitoni shansin të jetoni ndershëm e me meritë nga puna juaj. S’do të ketë njerëz që pasurohen as brenda natës as brenda javës. Premtimet tona do t’i përmbushim. Zotimet tona do t’i përmbushim sepse do t’u shërbejnë juve”, tha Albin Kurti./bl/noa.al/

Loading...
Loading...