Transmetuar më 07-10-2019, 09:45

Policia e Vlorës ka arrestuar tre autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku humbi jetën shtetasi Stavri Mino, 56 vjeç.

Në pranga kanë rënë shtetasit Astrit Hameti, 48 vjeç, dhe Nusret  Hoda, 57 vjeç dhe Agron Hameti 56 vjeç të cilët sipas bluve të Vlorës, kanë goditur fizikisht deri në vdekje 56-vjeçarin.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin në lagjen “1 Maji”, gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur fizikisht shtetasin S.M., 56 vjeç, për pasojë ka gjetur vdekjen.

Mendohet se Mino gjatë përplasjes fizike me ta është rrëzuar në tokë dhe ka rënë me kokë në gur, çfarë ka rezultuar fatale për të.

Ngjarja ndodhi në zonën pranë kabinave të Plazhit të Vjetër, rreth orës 16:20. Nga informacionet paraprake të dëshmitarëve okularë, dyshohet se viktima ka ndërhyrë për të shuar një konflikt mes të vëllait dhe 2 personave të tjerë, të cilët dyshohen të jenë pronarët e lokalit ku nisi përplasja.

Por pas autopsisë në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune duke sjellë arrestimin e tre personave, të cilët akuzohen për vrasjen.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprime të mëtejshme./b.l/noa.al/