Transmetuar më 07-10-2019, 09:32

Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti ndodhur mbrëmjen e së djelës në Selitë. Policia teksa ka sqaruar detajet e reja pas hetimeve ne vendin e ngjarjes, thotë se ka vënë në pranga shoferin e njërës prej makinave, 24 vjeçarin A.H.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, në përfundim të veprimeve të para hetimore arrestuan në flagrancë shtetasin A.H., 24 vjeç, banues në Klos, Cërrik, për veprën penale, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Shtetasi A.H, mbrëmjen e djeshme në rrugën rurale Mollas-Selitë, tek “Ura e Sharrës”, në fshatin Kamuna, Cërrik, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në kushtet e errësirës dhe fushëpamjes së kufizuar në kthesë ka goditur karrocën që tërhiqej nga një kafshë pune dhe më pas ka humbur kontrollin mbi mjetin duke dalë në krah të kundërt ku është përplasur me mjetin tjetër që vinte përballë.

Për pasojë ka humbur jetën shtetasi Agim Mençi, 53 vjeç, banues në fshatin Kamuna, Cërrik i cili ishte drejtuesi i karocës dhe shtetasi Agron Shmili, 48 vjeç, banues në fshatin Lumas, Cërrik, i cili ishte pasagjer në një nga automjetet.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./b.l/noa.al/