Transmetuar më 06-10-2019, 23:37

Zgjedhjet në Kosovë mund të konsiderohen si një spektakël demokracie për shkak të garës dhe fushatës qytetare që është zhvilluar por mbi të gjitha për shpalljen në një kohë record të rezultatit të zgjedhjeve.

Vetëvendosja kryeson garën me një diferencë mjaft të ngushtë kur janë numëruar rreth 80 % e votave ndaj shanset janë që Albin Kurti të futet në negociata me LDK për të krijuar një qeveri të re.

Raportohet se deri gjysmë ore para mesnatës së të dielës kanë numëruar 78.41 për qind e votave.

Nga 628.651 vota të numëruara, VV ka epërsi ndaj LDK me vetëm 6 mijë vota.

VV po prin me 26.10 për qind, që në numër të votave i bie 164.103, ndërsa LDK është e dyta me 25.15 për qind, apo 158.087 vota.

Subjekti i tretë është PDK me 21.18 për qind, ndërsa kreu i saj, Kadri Veseli e ka pranuar humbjen dhe njoftoi se PDK do jetë në opozitë.

Koalicioni AAK-PSD ka 11.61 për qind të votave, ndërsa koalicioni Nisma – AKR ka 5.07 për qind.