Transmetuar më 06-10-2019, 23:20

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa tha se partia që ai drejton do të kalojë në opozitë, për t’i shërbyer kombit dhe shtetit.

Ai falënderoi votuesit që besuan tek PDK-ja.

“PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit. I jam mirënjohës mijëra njerëzve që i takuam këto ditë”, tha ai në konferencë për mediat.

Kadri Veseli shënon humbjen e tretë radhazi në zgjedhje, duke mos arritur ta nxjerrë PDK-në të parën në Parlament për dy mandate, ndërsa, ka humbur edhe  në shumicën e komunave.

PDK-ja ka dalë forcë e tretë në këto zgjedhje, ndërsa  vendi i parë dhe i dytë po diskutohet mes LDK-së së Vjosa Osmanit dhe  Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote patën më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Procesi i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën sot në Kosovë, është mbyllur në orën 19:00.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.