Transmetuar më 06-10-2019, 20:23

Pas mbylljes së procesit të numërimit për zgjedhjet parlamentare, partitë politike në Kosovë kanë shpejtuar të shpallin fitoren.

Kështu partitë si PDK, LDK, dhe VV bazuar në të dhënat e tyre, theksojnë se janë fituese të zgjedhjeve.

Gjithashtu ajo që vihet re është fakti se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, në këto zgjedhje, ka një numër më të madh të pjesëmarrësve se në vitet e  kaluara.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në faqen zyrtare ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare të sotme kanë dalë në votime 44.31 për qind e qytetarëve.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Procesi i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën sot në Kosovë, është mbyllur në orën 19:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.