Fierakja tentohet të trafikohet në Itali për prostitutë, manovra e tutorit për të shpëtuar në Rinas
Transmetuar më 06-10-2019, 10:58

Një operacion policor i koduar “Return” (Rikthimi) ka goditur një rast të tentativës për trafikim të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Policia e Tiranës, në bashkëpunim me atë Kufitare të Rinasit mbrëmjen e kësaj të shtune, ka bërë arrestimin e 40-vjeçarit E. Ç., banues në Tiranë.

Efektivët e policisë gjatë intervistimit të një 30-vjeçareje nga Fieri kanë dyshuar në thëniet e saj për qëllimin e lëvizjes drejt Italisë dhe menjëherë kanë bërë bllokimin e saj duke njoftuar Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Tiranës.

Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i këtij rasti kriminal, si dhe kapja e arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., i cili do shoqëronte 30-vjeçaren drejt Italisë.

40-vjeçari në momentin që ka parë bllokimin e 30-vjeçares ka tentuar të largohet nga aeroporti, por është kapur nga shërbimet e Policisë.

Po në vijim të veprimeve të para hetimore është bërë shpallja në kërkim e tre personave të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë, A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Nga hetimet rezultoi se i arrestuari në bashkëpunim me shtetasit A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., nëpërmjet përdorimit të dhunës kishin detyruar 30-vjeçaren që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali dhe mbrëmjen e djeshme kishin organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprat penale të “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...