Transmetuar më 05-10-2019, 21:25

Portieri i Partizanit, Aldo Teqja, ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe paraprakisht thuhet të jetë jashtë rrezikut për jetën pasi ra nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte në Tiranë.

Policia në njoftin zyrtar tha se Teqja është vetëhedhur nga kati i gjashtë i banesës së tij, te Komuna e Parisit. Kështu raporton Policia e Shtetit, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

26-vjeçari ishte i grumbulluar në sfidën e sotme mes Partizanit dhe Teutës, por është larguar më herët se shokët e skuadrës nga stadiumi “Selman Stermasi”.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion Paraprak

Rreth orës 19:40 në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 6-të i banesës shtetasi A. T.,24 vjeç,i cili u dërgua në spital për ndihmë të specializuar mjeksore. Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Reagon klubi, flet për aksident

Pak minuta më parë, klubi i Partizani me anë të një njoftimi në Facebook, shkroi se Teqja është jashtë rrezikut për jetën dhe po monitorohet nga mjekët në spitalin e Traumës. Një lajm i mirë ky për futbollin shqiptar.

NJOFTIM

Klubi njofton se pjestari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë nën mbikqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jasht rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit.