Transmetuar më 04-10-2019, 18:30

Dyshohet se ka rrëmbyer 4 fëmijë nga Maqedonia e Veriut. Pas denoncimeve kroati kapet në flagrancë dhe burgoset  nga autoritetet kroate.

Në mediat kroate shkruhej se shtetasi Sadat Toskic u kap flagrancë duke regjistruar 4 fëmijë të grabitur, por akuzohet edhe për rrëmbimin e fëmijëve të tjerë.

Dyshohet se në mars të vitit 2010 ai rrëmbeu Mitat Ibraimin afër Shkupit dhe në maj po të këtij viti rrëmbeu edhe Bleona Matën nga mali Pikëllime, i fshatit Zapot në Kukës.

Sadat Toskic ka përfunduar në burg, nën akuzë se më 12 mars të vitit 2012 së bashku me shtetasen kroate Sanja Krishto, 35-vjeçe, kanë rrëmbyer 4 fëmijë shqiptarë dhe i kanë regjistruar me dokumente false në Zagreb, ku nuk ka asnjë të dhënë mbi këta katër të mitur shqiptarë, që dyshohet se janë nga Maqedonia e Veriut, dhe njëri prej tyre mund të jetë edhe Mitat Ibraimi, 8-vjeçari që u rrëmbye para oborrit të shtëpisë në fshatin e tij afër Shkupit.

Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Nevrij Ademi, në një lidhje direkte me moderatoren e emisonit “Pa gjurmë”, Odeta Dume, ka konfirmuar lajmin dhe ka raportuar të tjera detaje.“Ky shtetas kroat me emrin Sadat Toskic dyshohet se ka hyrë disa herë në territorin tonë dhe kuptohet qëllimi, ai i rrëmbimit të fëmijëve. Unë jam munduar të bëj disa verifikime këtu në Maqedoni edhe nëpërmjet policisë por kam folur edhe me banorët e zonës së vogëlushit Mitat Ibraimi”.

“Policia ende nuk na ka dhënë një përgjigje zyrtare dhe në ditët në vijim do ta kemi. Por, banorët kur e kanë parë foton dhe lajmin, disa e konfirmojnë se e njohin si fytyrë, disa të tjerë nuk e njohin”.

Ai i tha emisionit, se “institucionet tona janë informuar nga Kroacia për katër fëmijët e rrëmbyer në 12 mars të vitit 2012. Dyshojmë se fëmijët u rikthyen pranë familjes, këtu në Maqedoninë e Veriut dhe emrat nuk u bënë kurrë publike nga institucionet, për të ruajtur anonimatin e të miturve. Problemi qëndron se ne lajmet kroate shkruhej se shtetasi Sadat Toskic u kap flagrancë duke regjistruar 4 fëmijë, por akuzohet edhe për rrëmbimin e fëmijëve të tjerë.”

“Ne dyshojmë se në mars të vitit 2010 ai rrëmbeu edhe Mitat Ibraimin afër Shkupit dhe në maj po të këtij vitit rrëmbeu edhe Bleona Matën nga mali Pikëllime i fshatit Zapot në Kukës”, – u shpreh gazetari.

Bleona Mata në vitin 2010 ishte vetëm 6-të vjeçe dhe humbi kontaktet me familjen në një mënyrë shumë të çuditshme pasi në momentin e humbjes së saj, ajo ishte e shoqëruar nga 5 vajza të tjera.

Të gjitha vajzat ishin kushërira të Bleonës, dhe familja e saj i akuzon për humbjen e vogëlushes që tashmë është 15 vjeçe, gjithnjë nëse ajo është ende gjallë.

Kohët e fundit është publikuar edhe një foto se si Bleona mund të duket tashmë, teksa gjatë gjithë kohës në adresë të familjes kanë shkuar informata që vajza është parë në një vend apo në një tjetër./NOA.al/