Transmetuar më 04-10-2019, 16:32

Lindon Selahi ka pretenduar në FSHF se për të interesohen Belgjika dhe Maqedonia, duke vënë nën presion stafin kuqezi, që pritet ta ftojë në ndeshjen e ardhshme të Kombëtares.

Talenti shqiptar me origjinë nga Maqedonia, u bë pjesë e U-21 të Shqipërisë pak kohë më parë, por e refuzoi ftesën, ndonëse arsyeja u tha se ai ishte i dëmtuar.

Qartazi Salahi kishte synime për t’u bërë pjesë e ekipit të parë, drejtuar nga Edy Reja.

Ai ishte mësohet se ishte i piketuar këtë herë nga trajneri italian, në listën e pritjes, për t’u bërë pjesë e Kombëtares sonë në të ardhmen, apo nga emergjencat e mundshme. Por nisur nga pretendimi i tij se nuk mund të presë për shkak të karrierës, madje mund të largohet nëse nuk do të marrë ftesë direkte, Edy Reja po mendon ta thërrasë në ekipin e parë, gjatë ndeshjes së Tetorit kundër Turqisë.

Mesfushori 20 vjeçar luan titullar me Twente në Holandë dhe është një ndër futbollistët më të spikatur.

Ai i përket një familjeje të brezit të tretë emigrantesh me origjinë nga Kumanova.

Familja e gjyshit të tij ka emigruar në vitet 1950 drejt Stambollit, ndërsa vite më vonë babai i tij ka emigruar nga Stambolli drejt Belgjikës.

Lindoni ka lindur në Belgjikë dhe e flet shumë mirë gjuhën shqipe. Ai mori nënshtetësi me procedura të përshpejtuara pak kohë më parë, duke pranuar ofertën e parë që iu bë, për të qenë pjesë e Kombëtares sonë./NOA.al