Transmetuar më 03-10-2019, 20:40

Fiks në kohë. Kështu duket të jenë organizatorët e një spektakli të ri që mbërrin në Shqipëri. Të enjten në prime time, televizioni do të pushtohet më në fund nga muzika duke vënë në plan të dytë politikën, që prej afro tre dekadash, ka “mbytur” mesjavën me morinë e emisioneve që zaptuan thuajse të gjitha kanalet në Shqipëri.

Këndo këngën time’, është show më i ri që nis këtë muaj në televizionin kombëtar, Vizion Plus nën drejtimin e Inger Skura dhe Ardit Roshit.

Një format origjinal që do të adaptohet nga disa vende, “Këndo këngën time”, pritet të jetë pjesa kryesore e tortës së audiencës të enjteve mbrëma në televizionet shqiptare.

faqen e “Këndo këngën time” mësojmë se ky program sjell për herë të parë në televizionet shqiptare, risinë e përballjes së elitës së muzikës së lehtë shqiptare me talentet më të mira në vend.

Çdo javë një artist big do të përballet me emocionet që do të shkaktojnë interpretues të rinj, të cilët do t’i sjellin hitet e tyre ndër vite. Sfida e tij është: Këndo këngën time! Pasi t’i ketë dëgjuar që të tetë, ai do të zgjedhë se cili ka qenë interpretimi më i mirë mes tyre dhe do të këndojë bashkë me të në duet të njëjtën këngë.

Çdo mbrëmje është një biografi e treguar nga vetë këngëtari përpara prezantuesit. Në skenë, këngët e vjetra të këngëtarit do të vijnë në një formë të re që varet nga stili i këngëtarit të ri.

Pas çdo interpretimi këngëtari në fron krijon një renditje nga vendi i 8-të tek i 1-ri, që ndryshon gjatë gjithë kohës, deri në fund të programit.

Këngëtari në fron, pas një kënge, mund të ndryshojë mendim për një interpretim, që deri atëherë e mendonte si interpretimin më të mirë, duke e mbajtur surprizën në çdo pjesë të programit.

Por kush janë emrat protagonistë në këtë show?

NOA mëson se në “Këndo këngën time”! do të jenë 8 këngëtarë të rinj, të prezantuar me publikun kryesisht në garat muzikore të talenteve të rinj, si “Voice of Albania” apo “X-Factor Albania”: Gigliola Haveriku, Anxhela Elmazi, Marjona Metohu, Pier Noshi, Mario Mançelli, Rei Bezhani dhe Gerald Murrja.

Të gjithë këta, janë “në betejë emocionesh” çdo javë për të shkaktuar emocione tek këngëtarë si: Aurela Gaçe, Elton Deda, Irma Libohova, Rovena Dilo, Sabri Fejzullahu, Ledina Çelo, Aleksandër Gjoka, grupi "Fisnikët", etj.

Nëntë këngë që i ngjajnë një recitali honorifik dhe një e vetme, kali i betejës, kënga e zemrës, i përket lavdisë së artistit big, që vjen në këtë format edhe në një rrëfim të pazakontë.

Adrenalina e bandës muzikore që do të luajë live, kombinuar në një studio moderne e mikpritëse, do të sjellë një stinë të re: një fund vjeshtë e prag dimër mbrëmjesh muzikore në ekran.

Në këtë mënyrë, formula e këtij spektakli mundëson sukses të garantuar, ndaj e enjtja pritet të jetë tani e tutje, përmbysje e asaj që kemi ndjekur deri tani, jo më politikë, por muzikë! /noa.al/

Kasti i këngëtarëve të rinj:

Gigliola Haveriku është psikologe klinike me profesion, por që prej tre vjetësh, inerpreton live nëpër koncerte dhe skena të ndryshme në Tiranë dhe në rrethe, me bandën e saj jazz “Hot Club Tirana”, ku lëvrojnë rryma si jazz latin, swing apo klezmer. Kënga është pasion i hershëm, çka e ndoqi deri sa u përball me publikun e gjerë, në takimin e parë, në vitin 2015, në talent show-n “The voice of Albania”.

Rei Bezhani prej vitesh tashmë njihet si pianist i skenës klasike. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Eksperiencën me këndimin e ka filluar në talent show-t shqiptare dhe pas tyre, ka prezantuar edhe klipet e tij të para. Gjithashtu ka pasur eksperiencë edhe me prezantimin, në zhanrin e një “One Man Show” në spektaktlin që mban autorësinë e tij: “Omletë”.

Anxhela Elmazi ka mbaruar studimet për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja” në kryeqytet. Aktualisht vazhdon studimet per Regji Filmi & Televizioni në Universitetin e Arteve, në Tiranë. Është e apasionuar pas grafikës dhe dizajnit. U prezantua për herë të parë në publik në vitin 2017 në “The Voice of Albania”, ku i shkoi garës deri në fund, në katërshen finaliste. Skena e muzikës live, kryesisht ajo me karakter rock-u ka qenë një prej impenjimeve të saj më të dashura.

Gerald Murrja ka mbaruar Liceun Artistik dhe Universitetin e Arteve në degën e kantos, profili tenor. Vjen nga show i talenteve “X Factor Albania”, si pjese e grupit Classic Boys, për t’u prezantuar më pas ne gara të rëndësishme si Festivali i Këngës në Radio Televizion apo Kënga Magjike. Aktualisht eshtë pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ka ndjekur master klasa me pedagogë të njohur europianë, në Francë, Spanjë, Gjermani e Itali.

Marjona Metohu prej vitesh ka studiuar muzikë dhe  njihet si këngëtare e muzikës live në disa klube të mëdha të Tiranës. Përballjen e parë me publikun e pati gjatë pjesëmarrjes në garën e këngës për fëmijë “Gjeniu i vogël” dhe më vonë në “The Voice of Albania” si edhe në gara muzikore profesionale si “Kënga Magjike”. Aktualisht po investon për krijimtari personale.

Pier Noshi është diplomuar për kitarë në Universitetin e Arteve. Aktivizohet rregullisht si kitarist dhe këngëtar në jetën e netëve të muzikës live.  Ka të publikuara si artist i pavarur rreth 14 këngë. Në 2017-ën ndërmori një iniciativë artistike duke ripunuar disa prej këngëve  shqiptare më të njohura ndër vite. Preferon zhanrin akustik-pop, por nuk e kufizon veten në krijimtari dhe interpretim.

Mario Mançelli ka studjuar ne Liceun  Artistik ”Jordan Misja” dhe aktualisht ndjek  studimet e larta e në Universitetin  e Arteve në degën  e kitarës! Është prezantuar për herë të parë në publik nëpërmjet formatit të talenteve “The Voice  of Albania”, në edicionin e 6-të, ku mbërriti deri në fazën e gjysmë finales. Momentalisht është i angazhuat me grupin e tij “Dopamine” me muzikë live në Tiranë.