Banka e Shqipërisë, Guvernatori Sejko përfshihet në replika politike me opozitën
Transmetuar më 02-10-2019, 17:25

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u përfshi sot në replika politike me opozitën, duke iu kundërvënë liderit demokrat Lulzim Basha, pas paralajmërimit të këtij të fundit se financimet nga bankat në Shqipëri për PPP-të janë rruga për thellimin e aferave abuzive.

Gent Sejko, tha se nuk ka asnjë vend për alarm, pasi sipas tij, raporti i fundit nga ‘Manival’ vlerësoi bankat në Shqipëri, duke shtuar se “nuk ka asnjë shqetësim apo indicie për pastrim parash”.

Reagimi i Sejkos erdhi pasi kreu i PD, Lulzim Basha, dje iu drejtua me një letër atij dhe të gjithë bankave të nivelit të dytë, ku u kërkon që të mos financojnë PPP-të.

Argumenti që Basha përdor për këtë kërkesë është se këto PPP-të (Partneritet Publik Privat) shpesh përdoren për pastrimin e parave dhe si shembull sjellë  dy kontratat për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat.

“Letra e Bashës kishte të bënte me dy rreziqe, e para riskun e kredisë për financimet e PPP-ve. Bankat kanë shtrënguar kriteret e riskut pas krizës së 2008 dhe kjo ka ndikuar edhe në kreditimin e ekonomisë. Në rastin konkret, projektet e PPP-së janë specifike dhe të kushtëzuara me kritere te veçanta dhe këto kritere janë në fokus. Ne si BSH, bazuar në standardet më të mira, kemi miratuar rregulloret tona në lidhje me riskun dhe këtu bien edhe kriteret e riskut. Në rast se do të ketë projekte që do i plotësojnë kriteret do të jenë të financueshme. Këto projekte përfaqësojnë vlera të mëdha dhe kjo do të kërkonte bashkimin e disa bankave për një projekt të caktuar. Kjo e vështirëson edhe më shumë miratimin e këtyre rasteve, pasi kërkon koordinimin e disa bankave. Sigurisht janë një potencial biznesi për bankat e nivelit të dytë. Ne jemi të kujdesshëm që të kemi një vazhdimësi në cilësinë e kredisë. Ne do të donim një rritje të kujdesshme të kreditimit. Janë këto kritere që bankat e nivelit të dytë janë të detyruara ti respektojnë”, – tha Sejko.

Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka ndërtuar kuadrin dhe rregulloren e nevojshme për menaxhimin e këtij risku, por edhe bankat kanë filtra risku për të ndaluar pastrimin e parasë.

Megjithatë ai shtoi: “Por kjo nuk do të thotë se ne do të flemë gjumë. Si për riskun e kredisë dhe pastrimit të parasë bankat kanë instrumentet e nevojshme për të kontrolluar këtë risk”.

Loading...
Loading...