Transmetuar më 01-10-2019, 21:34

Shumë nga ju që po lexoni këtë shkrim, mund të keni hasur të paktën një herë, raste kur vajza të reja që vazhdojnë universitetin, ekspozohen sa më shumë për të kapur një dashnor me lekë, që t’i sigurojë mbijetesën sidomos kur janë konviktore, veshjet dhe trukun, daljet nëpër ish-Bllok dhe të tjera plot.

Kjo dukuri në Shqipëri ka nisur që në vitet ’90, por u shtua shumë 2 dekadat e fundit.

Në qytetin Studenti, një pjesë e mirë e vajzave jetojnë në konvikte. Të tjera plot, ndajnë qeratë me vajza të tjera nëpër dhoma e apartamente. Të gjitha përballen me shpenzime dhe që t’i paguash ato duhen lekë.

Disa mbahen nga prindërit dhe një pjesë e tyre as që i llogarisin ato çika lekë që marrin çdo javë a çdo muaj.

Të tjera e kanë ndarë mendjen se do t’i nxjerrin vetë lekët për çdo gjë.

Në këto raste, disa studente, mundësinë më të artë e gjejnë te kapja e një dashnori me lekë. Ky synim kthehet në çështje dhe temë dite në bisedat mes shoqesh, sikundër evidentohet në një vox-pop të noa.al me disa vajza studente në Tiranë të cilat kanë ardhur këto ditë për të gjetur apartamente dhe për t’u marrë me procedurat e regjistrimit të vitit të ri akademik.

Ato të pohojnë se përpjekja për të kapur një dashnor me lekë, nuk është thjeshtë për të nxjerrë shpenzimet, por edhe për “t’u hapur” para shoqeve, duke u treguar kështu se ato munden dhe po ia kalojnë “super”. Teksa i pyet se kush janë dashnorë me lekë, të tregojnë shpejt dhe saktë se çfarë ato gjuajnë: “Dallohen lehtë ata që kanë lekë, që nga makina me të cilën vijnë vërdallë. Pastaj kuptohen vetë se ja, po të vishem e të trukohem mirë, një fustan që t’më tregojë mirë linjat dhe gjëja ecën vetë, të afrohen e të hedhin fjalë, pastaj është në dorën tënde pranon apo jo t’ua varësh”, – tregon E., një 21 vjeçare e cila çdo vjeshtë deri në mesin e verës largohet nga familja për të kryer studimet në kryeqytet.

“Pjesa më e madhe e atyre që të hedhin llafe janë laca, si i themi ne. Janë njerëz me lekë por që duan një aventurë nate dhe kaq. Kështuqë përpiqemi t’i mbajmë larg dhe merremi me ndonjë që ia vlen”, – vijon rrëfimi.

Kur e pyet se si e gjen një dashnor me lekë që të mbajnë lidhje më të gjatë se një natë seksi, të pranon se është ca më e vështirë, por jo e pamundur. “Varet si sillesh. Po iu dorëzove menjëherë e ke humbur që të nesërmen. Po ia vare nga pak dhe arrin ta takosh, të ulesh e të rrish me të, në kafe, për darkë e pastaj pse jo dhe në hotel, ke shanse që të lidhesh me të dhe t’i thuash shoqes së dhomës, ej kapa një dashnor me lekë!”.

Vajza që flet, dukshëm kujdeset për pamjen e saj edhe pse është mesi i ditës dhe siç thotë ajo, “të më shohësh në darkë si dukem nga Blloku”.

Kur e pyet se sa zgjasin lidhjet me dashnorët me lekë, të tregon se nuk ka një periudhë fikse. “Mund të rrimë bashkë edhe 2-3 muaj, kam dëgjuar që rrinë dhe më shumë. Por e vështirë. Sidomos kur janë çuna 25 a 30 vjeç, e kanë mendjen vetëm ku të kapin ndonjë tjetër, ndaj sa i ke në duar, mundohu të kapësh noi gjë”, – përfundon studentja konviktore që sapo ka mbyllur një apartament prapa Liceut, me 22 mijë lekë në muaj që do ta ndajë me dy shoqe të tjera.

Histori të tilla, edhe jashtë Shqipërisë, por shumë më të rafinuara

Liv së pari u takua me Billin në vitin 2016 kur ajo ishte studente në kolegj dhe kishte 5,000 dollarë borxh nga kreditë studentore.

Pagesa e qirasë ishte e pamundur, thotë ajo, por Bill e ndihmoi atë të administronte më mirë shpenzimet dhe financat e saj. Ata e takonin njëri-tjetrin disa herë në javë, dhe shumë shpejt Bill filloi t’ia paguante Liv-it shkollimin dhe qiranë. Ai e mori atë në udhëtime ekzotike në Evropë dhe Tajlandë. Më vonë ata jetuan bashkë.

"Ai më mësoi si t’i bëja taksat, të blija siguracionin për makinën time dhe me ndihmoi të paguaja kreditë studentore", thotë Liv. "Ai më mësoi shumë gjëra që nuk ishte i detyruar ta bënte. Kisha një ndjenjë të veçantë për të."

Liv ishte 24 vjeç dhe Billi 70 kur u lidhën përmes faqes së internetit SeekingArrangement, që promovon oferta të marrëveshjeve paraprake të sinqerta mes njerëzve për plotësimin e nevojave të njëri-tjetrit.

Zakonisht, marrëveshjet janë midis grave të reja dhe burrave më të moshuar që janë të pasur. Gratë e reja kërkojnë ndihmë financiare në këmbim të shoqërimit me burrat e moshuar. Shumica e burimeve dhe studentëve që ka intervistuar Unioni Studentor i Zërit të Amerikës se marrëveshjet financiare shpesh, por jo gjithmonë, përfshinin seksin si mjet këmbimi.

"Bashkohuni me më shumë se 2.7 milion studentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët u janë drejtuar shërbimeve të SeekingArrangement për të shmangur borxhet studentore dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë," thuhet në faqen e tyre të internetit. Unioni Studentor i Zërit të Amerikës bëri disa përpjekje për të marrë komente nga faqja e interneti SeekingArrangement, por nuk mori përgjigje.

Billit i pëlqente ta ndihmonte Livin, duke e dërguar atë shpesh për pushime jashtë vendit. Nëntë muaj pasi ata filluan lidhjen, Bill e dërgoi Liv-in me pushime në Tajlandë. Ndërsa ajo ishte atje, ajo mori një telefonatë se Bill kishte kancer që ishte përhapur. Ajo u kthye në vend dhe flinte pranë shtratit të tij në spital pothuajse çdo natë. Një muaj më vonë, ai vdiq.

Bill kishte krijuar një fond investimi prej 60 mijë dollarësh për Liv-in që ajo mund ta shfrytëzonte pas vdekjes së tij.

“Paratë janë padyshim një ndihmë e madhe për mua. Kjo më ndihmoi të lëvizja jashtë shtetit, më ndihmoi të gjeja veten, më ndihmoi të blija një makinë të re," thotë ajo.

Shkëmbimi i shoqërimit për mbështetje financiare nuk është fenomen i ri, por interneti u ka lejuar njerëzve që të lidhen më lehtë. Kjo, e kombinuar me borxhin rekord të shkollimit për shumë studentë, që mesatarisht arrin në 37,000 dollarë për një student, ose 1.6 trilion dollarë për të gjithë studentët në mbarë vendin, ka nxitur disa studentë të kërkojnë metoda alternative të lehtësimit të borxhit. Disa prej tyre, si Liv, kërkojnë marrëdhënie me persona të moshuar e të pasur për të ndihmuar veten.

Ajo nuk është e vetme në këtë fushë. Në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias në Atlanta, në vitin 2018 më shumë se 1,300 studentë u regjistruan për këtë lloj shërbimi, numri më i lartë në një kolegj amerikan, sipas faqes së internetit SeekingArrangement. Qindra studentë janë regjistruar për këtë shërbime në shkollat në Florida, Alabama, Nju Xhërsi, Kaliforni, Teksas dhe Mizuri.

A ka të bëjë me seksin?

Disa gra, si Liv, kompensohen mirë në një marrëdhënie reciproke.

"Ndonjëherë nuk bëhet fjalë për seks," shpjegon Samantha, studente e vitit të fundit. "Disa burra janë thjesht të vetmuar. Disa prej tyre me të vërtetë janë në kërkim të një partneri vetëm për shoqëri."

Por për të tjerët si Helene, ata ishin dominues dhe të dhunshëm.

"Është shumë e rrallë të gjesh një burrë që nuk kërkon seks," thotë Helene e cituar nga VOA. Kur njëri partner paguan për gjithçka, shumë burra mendojnë se kanë të drejtë të dominojnë marrëdhëniet.

"E dija se e vetmja mënyrë për të fituar para ishte ose të shisja drogë ose të gjeja një të moshuar që është i pasur," thotë ajo.

Si studente e huaj 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, viza nuk i jepte asaj të drejtën të punonte në vend. Ajo thotë se nuk donte ta rëndonte financiarisht familjen e saj. Përmes faqes SeekingArrangement, ajo u takua me një burrë 27-vjeçar që në fillim dukej normal, por më pas u bë agresiv.

Ai i kërkoi Helenës të bënte gjëra jashtë marrëveshjes së tyre. Ai i tha asaj që do t’i jepte 1000 dollarë menjëherë për të bërë seks me të.

"Isha budallaqe dhe e trembur, kështu që bëra atë që duhej të bëja," thotë Helene.

Kur ajo kërkoi pagesën, ai nuk pranoi ta paguante. Ndërsa ajo u përpoq të largohej, ai "hoqi bluzën e tij, e mbështolli atë rreth kokës time dhe rreth qafës. … Mendova se ai do të më mbante peng”.

Burrat që regjistrohen në këtë program shpesh presin që gratë e reja të kenë një rol nënshtrues në këmbim të parave dhe dhuratave që marrin.

Shumë njerëz e shohin këtë shërbim si një formë prostitucioni ose punë seksi, e cila përkufizohet si një marrëdhënie seksuale konsensuale midis dy ose më shumë të rriturve në këmbim të pagesës. Statusi ligjor i prostitucionit debatohet në të gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara, opinioni publik mbi prostitucionin duket se favorizon kriminalizimin e tij.

Sweta Patel, një avokate e çështjeve kriminale në Uashington, thotë se ndërsa ka ngjashmëri midis punës së seksit dhe marrëdhënieve mes një

gruaje të dhe një burri të moshuar, ndryshimi është se në shërbimin e fundit seksi dhe paratë mund të mos jenë pjesë e marrëveshjes.

Patel thotë se forcat e zbatimit të ligjit monitorojnë faqet e internetit si SeekingArrangement për të parë nëse marrëdhëniet kalojnë në punë seksi.

Për shkak të trafikimit të seksit dhe legjislacionit të miratuar kohët e fundit për ta kontrolluar atë, si Akti Luftoni Trafikimin e Seksit Online (FOSTA) dhe Akti SESTA, shumë aplikacione si SeekingArrangement monitorojnë nga afër mesazhet. Vitin e kaluar, faqja e popullarizuar e shitblerjeve në internet, Craigslist ndaloi ofrimin e reklamave personale sepse ato po përdoreshin nga trafikantët e seksit.

Të lirë për të bërë zgjedhje

Në fund të fundit, disa nga këto gra të reja thonë se ato janë të rritura që kanë vendosur të jenë në marrëdhënie me të rritur sipas kushteve të tyre.

"Kështu që shumë marrëdhënie të ashtuquajtura romantike bazohen në sa para ose status apo sa i mirë është dikush", thotë Liv. "Si është kjo më e sinqertë?"

"Ju u jepni të dashurave dhe grave tuaja para dhe paguani faturat e tyre. Një ndryshim këtu është mosha,” thotë ajo. "Nga ana tjetër, unë do të thoja që kjo mënyrë jetese nuk është për të gjithë, dhe jo për të gjithë që ta aprovojnë ose kuptojnë. Por funksionon për ne dhe kjo është gjithçka që ka rëndësi. "

Helene thotë se aspekti ekonomik është fjala e fundit për të.