Transmetuar më 01-10-2019, 16:11

Për dhunën e zhvilluar midis tifozëve gjatë ndeshjes derbi mes Tiranës dhe Partizanit, policia e Tiranës, dhe konkretisht Komisariati Numër 2, ka proceduar penalisht 9 persona.

Njëri prej tyre u arrestua, Elton Bande, kurse gjashtë të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.

Elton Bande, kishte thyer masën e sigurisë që ishte vendosur ndaj tij, arrest shtëpie. Për të tashmë rëndojnë akuzat e Plagosjes së lehtë me dashje, prishja e qetësisë publike dhe largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit.

Policia tha se dy persona janë shpallur në kërkim.

Për dy shtetasit e shpallur në kërkim, dyshohet se ata kanë hapur tre gropa të cilat sipas policisë  kanë qenë mbushur me një sasi lënde prioteknike me mekanizëm shpërthyes me ndezje elektrike.

Për këtë çështje, në prokurorinë e Tiranës është hapur një hetim.

Pritet që të përfundojë edhe akt ekspertimi për lëndën e cila ka qenë e vendosur në ato gropa, për të dhënë një verdikt final se çfarë lloj lënde ka pasur në to.

Kjo do të jetë edhe pista kryesore për të cilët do të hetohen këta persona, që më pas pritet të dalin para gjykatës për tu njohur me akuzat përfundimtare.

Hetimi që po zhvillon prokuroria, bazohet në pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë, nga informacionet e punonjësve të policisë që kanë qenë prezent gjatë ndeshjes, nga informacionet e shërbimeve sekrete, por edhe dëshmitarë të cilët kanë qenë në stadium në momentin kur filloi të kishte përplasje fizike mes tifozerisë.

Deri tani nga këqyrja e kamerave të sigurisë, janë identifikuar edhe disa persona të tjerë që janë pjesë e dhunës së ushtruar rreth një orë përpara zhvillimit të ndeshjes. Edhe për ta policia pritet që të nis procedime penal.

Ndeshja derbi mes Tiranës dhe Partizanit përfundoi me fitoren e të kuqve 2-1, por nga incidentet kjo ndeshje do të jetë edhe objekt i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FSHF./a.m/NOA.al