Transmetuar më 30-09-2019, 21:23

NGA ROLAND QAFOKU Shkrimtari, poeti dhe nobelisti kilian Pablo Neruda ka qenë i njohur për pikëpamjet e tij antifashiste. Për këtë dhe talentin e tij ai ka qenë i përkthyer edhe në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Por nuk dihej afeksioni i tij për regjimin stalinist të Enver Hoxhës duke e mbështetur hapur atë. Këtë e vërteton një telegram i shkruar prej Nerudës në adresë të diktatorit Enver Hoxha 68 vjet më parë. Dhe a e dini për çfarë? Për nder të 10 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë!!! Në arkivin tim zbulova se në një broshurë-libër të botuar nga Komiteti Qendror i PPSH në vitin 1951, shkrimtari kilian i është drejtuar personalisht Enver Hoxhës, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i partisë dhe kryeministër në një letër-telegram. Ishte normale për atë përvjetor që Enver Hoxhës ti shkruanin liderë komunistë nga Bota si Mao Ce Duni i Kinës dhe Kim Ir Seni i Koresë së Veriut por e të tjerë liderë komunistë, gjë që e kanë bërë. Por që pas tyre, një gjë të tillë ta bënte edhe Pablo Neruda, i cilësuar nga Gabriel Garcia Marquez si poeti më i madh i shekullit të 20-të, kjo është diçka më shumë se sa habi. Madje, në fjalët drejtuar Enver Hoxhës, nobelisti Neruda zbulon se ka patur edhe ftesë zyrtare të posaçme në adresë të tij të vinte në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e 10 vjetorit të themelimit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Kjo tregon se marrëdhënia e Pablo Nerudës me Enver Hoxhën nuk ka qenë vetëm formale. Vetë Neruda sqaron se ka patur shumë dëshirë ta bënte realitet vizitën në Shqipëri por angazhime e tjera nuk ia kanë mundësuar. Çdo të ndodhte nëse nobelisti do vinte në Shqipëpëri? Nuk dimë ta themi këtë, por të paktën do kishte një dëshmitar high profile për të parë me sytë e vetë “mrekullinë e 8-të të botës”. Ku i dihej, zhgënjimi mund ta frymëzonte për të shkruar ndonjë poezi a roman. Megjithatë, letra e shkruar ndaj diktatorit Hoxha flet më shumë se sa supozimet. Më poshtë fjalët drejtuar Enver Hoxhës: “Shokut Enver Hoxha Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë Detyrat e Këshillit Botëror të Paqës më ndalojnë udhëtimin për në Republikën Popullore të Shqipërisë, të cilëm do të dëshiroja shumë ta vizitoja. Lutemi pranoni në këtë përvjetor përshëndetjet e mija të nxehta për qeverinë tuaj popullore dhe dashurinë time për popullin shqiptar. PABLO NERUDA”