Tirana: Ftojmë Partizanin të ruajë qetësinë, ne nuk jemi institucion policor
Transmetuar më 30-09-2019, 17:14

Duke qenë se ishte organizatore e derbit me Partizanit, Tirana, përveç humbjes, i janë ngarkuar përgjegjësitë e trazirave dhe mund të ndëshkohet më rëndë nga Komisioni i Disiplinës.

Klubi "Tirana", ka reaguar lidhur me ngjarjet, e një nate më parë në "Selman Stërmasi".

Klubi i Futbollit Tirana distancohet nga të gjitha aktet e dhunës, shfaqjet e shëmtuara jo sportive dhe dënon ashpër të gjitha problematikat e krijuara nga tifozët në ndeshjen Tirana – Partizani", thuhet në reagim.

"KF Tirana ka zbatuar me rigorozitet planin e masave te hartuar me Policinë e Tiranës për mbarevajtjen e takimit brenda dhe jashtë stadiumit “Selman Stermasi”".

"Në përfundim të takimit, klubi ka vënë në dispozicion të Policisë, serverat e sistemit të kamerave të stadiumit, për të gjetur dhe dënuar më pas pergjegjësit e incidenteve në stadium por edhe autoret e incidenteve të mbetura fatmirësisht në tentativë."

"Klubi i Futbollit Tirana është një klub futbolli dhe jo një institucion policor. Si i tillë, konform të gjithë rregullave të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ligjeve të Shtetit Shqiptar, kemi marrë masa organizative për ndeshjen, si dhe dokumentuar me pamje filmike incidentet dhe dorëzuar ato me pas në institucionet përkatëse", thuhej në reagimin e klubit bardheblu.

Ftojmë Partizanin të ruaj qetësinë, bashkëpunojë me Policinë, nëse disponon materiale filmike apo prova për të gjetur autorët dhe fajtorët e incidenteve në stadium. Një klub futbolli mund dhe duhet të mos kalojë kompetencat për të folur nxituar herë si hetues dhe here të tjera si prokuror"- mbyllet reagimi i Tiranës. Pavarësisht humbjes, pas derbit, Tirana dhe Partizani kanë nga 10 pikë seila dhe janë një pikë pas dy kryesuesve, Bylisit dhe Teutës, në garë për titullin kampion.

Partizani e fitoi 2-1 derbin ndaj Tiranës, por nga incidentet e shumta, klubet pritet të përballen edhe me masa ndëshkuese nga FSHF. Policia ka arrestuar një tifoz pas ngjarjeve, ndërsa po hetohen edhe incidentet e shumta. /a.m/NOA.al

Loading...
Loading...