“Një akt i vërtetë terrorist, i mbetur në tentativë”, Partizani thirrje autoriteteve: Hetojeni!
Transmetuar më 30-09-2019, 15:11

Është mbyllur me fitoren 2-1 të Partizani derbi i madh i kryeqytetit, por me akte dhune, të cilët do të jenë objekt hetimi i Komisionit të Disiplinës.

Përveç përleshjeve të tifozëve, një  bonderolë e  tifozëve të Tiranës ka ngjallur reagime të shumta. Madje Partizani akuzon se një pjesë e tifozëve bardhebu, kishte përgatitur një akt terrorist që mbeti në tentativë.

"Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi", thuhej në fillim të reagimit nga Partizani.

"Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Klubi Partizani i bën thirrje autoriteteve të hetojnë këtë akt të rëndë.

"Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë. Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent", mbyllet reagimi i klubit "Partizani".

Derbi Tirana-Partizani mbylli javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Tirana ndodhet në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka edhe Partizani pas kësaj fitoreje. Kryesojnë Bylis e Teuta me nga 11 pikë./a.m/NOA.al

Loading...
Loading...