Transmetuar më 29-09-2019, 16:16

Derbi i kryeqytetit nuk zhgënjen kurrë, aq më tepër kur bëhet fjalë për tifozët të cilët në çdo moment në çdo kohë kanë vërtetuar se janë pjesa më e bukur e këtij takimi legjendar.

Tirana-Partizani, derbi i parë sezonal i këtij kampionati, pritet të zhvillohet në një atmosferë të Zjarrtë.

Tirana pas pesë javëve të para ka 10 pikë, aq sa Kukësi, ose një pikë më pak se Bylis e Teuta që kryesojnë momentalisht. Partizani ka 7 pikë, çka do të thotë se Tirana në rast fitoreje merr kreun e largohet nga kampionët në fuqi, duke u rreshtuar si pretendente kryesore për titullin kampion.

Policia ka marrë masa, nisur nga interesimi i jashtëzakonshëm, pasi klubi Tirana njoftoi se është mbyllur sporteli pak orë më parë, duke qenë se janë shituar të gjitha biletat.

Dy tifozeritë e kryeqytetit pritet t’i japin pamje elektrizuese stadiumit “Selman Stërmasi”, që do të jetë në kapacitetin e plotë prej 8 mijë tifozësh. Priten mbi 10 mijë tifozë të pranishëm.

Ndeshja do të luhet në ora 19:00, ndërsa ndodh rrallë që të gjithë biletat që ishin në dispozicion të jenë shitur, për një ndeshje të kampionatit shqiptar, por jo kur bëhet fjalë për derbin.

Kjo ndeshje do të gjykohet nga gjyqtari Kridens Meta.

Për Metën, kjo është hera e katërt që Meta gjykon në derbi duke qenë se fillimisht ka gjykuar në vitin 2014, aty ku Partizani ka arritur të fitojë 2-0 kundër Tiranës.

Sezonin e shkuar, ishte Meta arbitër në ndeshjen që i dha Partizanit titullin kampion, duke fituar 2-1 ndërkohë që po me të njëjtin rezultat ka fituar Partizani edhe një herë tjetër kundër Tiranës me Metën kryesor.

Njoftimi i klubit Tirana:

Në orën 15:00 është mbyllur sporteli i biletarisë pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Çdo biletë është shitur dhe gjithçka është gati për një stadium të gjithin bardheblu.

Dyert për tifozët do të hapen në orën 17:00 për të shmangur radhët e gjata.

Sendet e forta, shishet plastike, xhestet antisportive dhe çdo veprim tjetër që dëmton skuadrën, klubin dhe tifozët, nuk duhet të shfaqet sot në stadium.

Kategoria Superiore/ Java e 6-të

Dje

Teuta-Kukësi                     1-0

Vllaznia-Skënderbeu        4-0

Bylis-Flamurtari                5-0

Luftëtari-Laçi                     1-1

Sot

Tirana-Partizani                 19:00

/a.m/NOA.al