Derbi i Madridit nuk ka fitues, skuadrat ndajnë nga një pikë
Transmetuar më 28-09-2019, 23:25

Ka përfunduar pa fitues derbi i Madridit mes Atleticos dhe Realit, që pati grintë, dëshirë dhe emocione, përveç atyre më të rëndësishmëve në një ndeshje futbolli, golave, që munguan sonte bashkë me rastet për shënim.

Nën një atmosferë spektakolare të krijuar në shkallët e stadiumit “Wanda Metropolitana” të Madridit, të dy trajnerët kishin përzgjedhur më të mirët nga minuta e parë, por duke u treguar të kujdesshëm me mënyrën e lojës.

Kjo vihej re nga përplasjet e ashpra në mesin e fushës, teksa në pjesën e parë ishin “Los Colchoneros” që patën më shumë iniciativë, por pa arritur të kërcënojnë rrezikshëm kuadratin e ish-it Thibaut Courtois.

Reali i Zidane u zgjua disi në pjesën e dytë dhe arriti të kërcënojë rrezikshëm kuadratin e Oblak, me një goditje të bukur me kokë të Benzema, por portieri slloven i Atleticos bëri një fluturim spektakolar dhe çoi topin në këndore.

Sipas Supersport, vërshëllima finale e arbitrit kryesor të ndeshjes la në fuqi rezultatin e bardhë 0-0, që nuk ndryshoi as pozitat në renditje të skuadrave, me Realin që mban vendin e parë me 15 pikë dhe Atleticon që ndan vendin e dytë me Granadën, me nga 14 pikë.

Vlen të theksohet se sytë ishin drejtuar nga Joao Felix dhe Eden Hazard, dy blerjet më të bujshme të skuadrave madrilene gjatë merkatos së verës, por si portugezi, ashtu edhe belgu, ishin në hije dhe të markuar mirë.

Loading...
Loading...