Transmetuar më 24-09-2019, 16:28

Pas takimeve me  homologë të vendeve të Rajonit, si me Presidentin kroate dhe Kryeministrin grek, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.

Thaçi ka falënderuar sekretarin Paroli për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, duke thënë se njohja formale e Kosovës Vatikani do të kurorëzonte krejt angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

“Populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, vlera të tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës. Jemi mirënjohës për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Krejt çfarë ka mbetur është njohja nga Vatikani”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi, e ka informuar sekretarin Parolin për harmoninë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve, vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.

Vatikani njihet edhe si shtet madje është një nga anëtaret e OKB, ndërsa Kosovën nuk e njohin ende disa vende të BE-së, si Greqia, Qipro, Spanja dhe Rumania.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi do të vazhdojë takime të shumta me përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në këtë eveniment, ku edhe do të kërkojë njohjen e Kosovës nga shtete të ndryshme që ende nuk e kanë njohur atë. /a.m/NOA.al