Transmetuar më 23-09-2019, 21:34

Nëna e adoleshentit shqiptar, që u godit për vdekje me thikë në një park patinazhi ka treguar sesi ajo u përpoq të ndërhynte, pasi i biri ra në turmën e gabuar.

Elton Gashaj, 15 vjeç, mbeti viktimë e goditjes fatale në Salt Hill Park, në Slough, Berkshire, të Shtunën. Nëna e tij, Vera Gashaj, tha se para se ai të vritej, ajo kishte paralajmëruar autoritetet për sigurinë e djalit të saj. E ëma pretendoi se kishte vërejtur se i biri ishte përfshirë në një zënkë.

Ajo i tha The Sun: "Unë i thashë policisë se djali im nuk ishte i sigurt. Dy ose tre herë ai ishte përleshur me ta. Ai kishte edhe një krah të thyer. Por më tha që ra nga biçikleta."

E ëma beson se i biri shoqërohej me njerëz të gabuar.

"Ai vazhdonte të thoshte se do të ndryshonte", tha nëna e dy fëmijëve, me origjinë nga Kosova, e cila shtoi se, "doja të ndihmoja. Ai do të thoshte gjithçka për mua. Ai ishte fëmija im. Ai ishte superylli im – por sapo ishte futur në udhë të gabuar dhe kjo i kushtoi atij jetën."

Elton Gashaj, 15 vjeç, vdiq në vendin e ngjarjes nga një plagë e vetme, që mori pas goditjes me thikë.

Dy djem të moshës 15 vjeç dhe një adoleshent i tretë i moshës 17 vjeç janë arrestuar nën dyshimin e vrasjes dhe janë në paraburgim, – tha dje Policia e Thames Valley.

Oficerët besojnë se sulmi mund të jetë dëshmuar nga të rinj të tjerë, disa prej të cilëve mund ta kenë filmuar atë në "smartphone". Banorët thanë që parku ku nodhi ngjarja kishte një reputacion të keq, pasi ishte një vend takimi popullor për përdoruesit e drogës nga të rinjtë. Elton kishte një vëlla Redonin, 20 vjeç, dhe ndiqte shkollën Slough dhe "Eton Church" në Angli.

Të tronditur nga ngjarja mbetën edhe shqiptarë të tjerë në zonë, të cilët njiheshin me familjen nga Kosova, djali i së cilës u vra pas një sherri me adoleshentë të tjerë./a.m/NOA.al