Rrebeshe shiu dhe stuhi, çfarë parashikojnë sinoptikanët për sot dhe të gjithë javën
Transmetuar më 23-09-2019, 12:16

Pasditja e sotme do të përfshihet nga një mot i ftohtë, me rrebeshe shiu dhe stuhi në mbarë vendin, duke paralajmëruar zyrtarisht ardhjen e stinës së vjeshtës.

Stuhitë e shiut do të vijojnë deri mesditën e nesërme, kur do të ketë një dobësim të ndjeshëm të intensitetit të shirave.

“Rrebeshe shiu dhe stuhi-afatshkurtra ere do të përfshijnë vendin në orët e pasdites dhe deri mëngjesin e së martës. Kjo situatë e motit mbetet prezent deri në mesditën e neserme kur pritet dobësim i ndjeshëm i intensitetit të shirave. Era do të jetë e fortë me shpejtësi mbi 65 km/h duke sjellë probleme në brigjet detare”, thuhet në njoftimin e “Meteoalb”.

Pra dita e hënë dhe ajo e martë do të jenë me mot të vranët në të gjithë territorin. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet mesatar deri edhe të lartë në formën e stuhive dhe rrebesheve. Kjo situatë më tepër do të jetë e theksuar përgjatë vijës bregdetare dhe zonat e ultësirës perëndimore ndërsa relievet malore do të preken më pak.

Dita e mërkurë do të ketë përmirësim me mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash dhe reshje shiu të dobta dhe lokale. Dita e enjte pritet përsëri përkeqësim i motit me reshje shiu me intensitet mesatar deri dhe të lartë në formë stuhish dhe rrebeshesh në zonën e qendrës dhe atë të veriut ndërsa zona e jugut do të preket nga reshje shiu me intensitet të ulët.

Java mbyllet me ditën e premte me mot me alternime vranësirash e kthjellimesh dhe reshje shiu të dobta dhe lokale deri në orët e mesditës.

Temperaturat në vlerat minimale pritet të kapin vlerat nga 9ºC deri në 17ºC ndërsa ato maksimale 17ºC deri në 29ºC. /b.l/noa.al/

Loading...
Loading...