Transmetuar më 22-09-2019, 07:39

Gjithë Shqipëria është përfshirë nga një valë paniku pas lëkundjeve të fuqishme të tërmetit të pasdites së të dielës, ku më e madhja ishte me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter.

Por edhe pas mesnate toka nuk ka reshtur së lëkunduri, e sërish epiqendra ka qenë në detin Adriatik.

Lëkundja më e fundit ka qenë në orën 06.46 të mëngjesit të sotëm, me magnitudë 3.5 ballë të shkallës Rihter në 15 kilometër thellësi.

Një tërmet me magnitudë 4.4 ballë të shkallës rihter u shënua në 02.28 pas mesnate, duke krijuar panik mes banorëve, me epiqendër po në Durrës në 60 kilometër thellësi.

Në orën 00.07 u shënua një tjetër lëkundje me magnitudë 4.8 ballë të shkallës Rihter, duke bërë që njerëzit të dalin nga banesat.

Sakaq lëkundje të tjera me intensitet më të vogël ka pasur gjatë gjithë natës, por të kategorisë rreth 3 ballë, duke mos u cilësuar problematike. /a.y/noa.al

Shënim i NOA:

Nëse ndjeni nevojë për ndihmë, kontaktoni numrat e mëposhtëm, nga çdo telefon fiks ose celular, pa pagesë, edhe nëse nuk keni paketa aktive:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë. Dhe sipas nevojave specifike:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë.

Dhe sipas nevojave specifike:

Policia e shtetit ☎ 129.

Zjarrfikesja ☎ 128.

Urgjenca ☎ 127.