Transmetuar më 21-09-2019, 22:04

Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Lezhë, rreth orës 08:30, ku një makinë përplasi për vdekje 32-vjeçarin Ylli Mena që po lëvizte me biçikletë në rrugë.

Në përfundim të veprimeve hetimore ka rezultuar se aksidenti ishte i qëllimshëm dhe autor i dyshuar është shtetasi A.K., 32 vjeç, banues në Mamurras.

Policia tha se dyshohet që A.K., ka aksidentuar shtetasin Ylli Mena, me dashje për shkak të një konflikti të mëparshëm mes tyre.

Viktima ka qenë i martuar me motrën e autorit të dyshuar, ndërsa ishin ndarë pak kohë më parë.

Shtetasi i dëmtuar Ylli Mena ka ndërruar jetë në spital, ndërsa autori i dyshuar shtetasi A.K., është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme./a.k/noa.al/