Transmetuar më 21-09-2019, 21:27

Ministria e Drejtësisë mbledh Grupin e Menaxhimit të Emergjencave Civile dhe Krizave në lidhje me situatën e krijuar nga tërmetet në Shqipëri, gjatë ditës së sotme.

Në njoftimin e dhënë nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se Grupi i Menaxhimit në bashkëpunim me strukturat e tjera drejtuese kreu një verifikim paraprak të situatës në të gjitha institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, dhe veçanërisht pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

"Vlen të theksojmë se në Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, situata paraqitet e qetë dhe pa probleme si në drejtim të sigurisë njerëzore, ashtu dhe shëndetit të punonjësve të strukturave të burgjeve dhe të shëndetit të të paraburgosurve dhe të dënuarve", thuhet në njoftim.

Ministria sqaron se në momentet e lëkundjeve të tërmetit, në kuadër të menaxhimit të situatës, janë ndjekur me përpikmëri kërkesat e Planit të Emergjencës në Burgje, duke nxjerrë të dënuarit për çështje sigurie fizike në ambientet e ajrimit.

Në përgjigje të situatës, në bazë të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dhe legjislacionit në fuqi, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar kalimin në gjendje gadishmërie, në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në afërsi të epiqendrës së tërmeteve, ku janë ndjerë lëkundjet dhe po zbatohet plani i masave përkatëse në çdo IEVP.

Për të gjitha institucionet e varësisë, po vijon inspektimi i detajuar për evidentimin dëmeve të mundshme materiale.

Në njoftim thuhet se situata është në monitorim dhe në ndjekje të vazhdueshme, përfundon deklarata e Ministrisë./a.k/noa.al/

Shënim i NOA:

Nëse ndjeni nevojë për ndihmë, kontaktoni numrat e mëposhtëm, nga çdo telefon fiks ose celular, pa pagesë, edhe nëse nuk keni paketa aktive:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë. Dhe sipas nevojave specifike:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë.

Dhe sipas nevojave specifike:

Policia e shtetit ☎ 129.

Zjarrfikesja ☎ 128.

Urgjenca ☎ 127.