Transmetuar më 20-09-2019, 20:57

Reagimeve mbi dënimin, por duke shmangur burgun Saimir Tahirit, i është bashkuar edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili në rrjetet sociale, ndonëse nuk ka komentuar, ka pëlqyer ose është pajtuar me mesazhet që lëshuan dy prej ambasadave perëndimore, ndër më të rëndësishmet në Tiranë.

"Dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat.”

Ky ishte thelbi i deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë pas vendimit të Gjykatës për të rrëzuar akuzat për trafik droge ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe duke e dënuar vetëm për “shpërdorim detyre”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar: “Dështimi për të dhënë dënim mbi akuza akoma më serioze, shtron pyetje dhe tregon rëndësinë e finalizimit të reformës gjyqësore”, thuhej në reagimin e saj nga kjo ambasadë. Xhafaj i tregoi Tahirit indirekt se pajtohet dhe qëndron në një linjë me ndërkombëtarët.

Xhafaj pasoi Tahirin në detyrën e rëndësishme pak vite më parë. Siç shihet edhe në profilin zyrtar në “Tëitter”, Xhafaj ka miratuar reagimet e dy ambasadave duke shtypur butonin “like” (pëlqej).

Tahiri dha disa mesazhe që janë interpretuar si të koduara apo edhe sulme ndaj Xhafajt, siç ishte deklarata se: “Ndodhem këtu si i pandehur se i shita makinën një personi, ndërkohë që njoh plot njerëz e ka plot të tillë që s’mbajnë përgjigje si edhe për vëllezër trafikantë.”

Duket më tepër një luftë e brendshme brenda PS-së e tërë kjo histori, sepse me vendimin e gjykatës, që e dënoi për shpërdorim detyre por pa burg ish-ministrin, Tahirit i hiqet e drejta të ushtrojë aktivitet politik apo publik në pesë vitet e ardhshme./a.m/NOA.al