Transmetuar më 20-09-2019, 19:25

Është sfidë e vështirë të fitosh të drejtën për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës, për çdo maturant në Shqipëri.

Por është gati e pabesueshme, që një student të mbyllë studimet e Mjekësisë, me të gjitha dhjeta, në listën e notave të diplomës.

Aurela Kullolli është një vajzë nga Elbasani që nuk mor asnjë notë 9, në Fakultetin e Mjekësisë të cilin si rrallëkush, ndoshta askush, e mbyll me Medalje Ari.

Aurela Kullolli ishte maturantja ekselente e Gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan, viti 2013.

Dhe pas gjashtë vitesh studimi ajo përmbushi objektivin e radhës duke ruajtur të gjitha notat 10-a gjithë viteve të studimit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

Të mbyllësh gjashtë vite studime, me të gjitha notat 10-ta, çfarë do të thotë për një studente?

"Duke pritur Medaljen e Artë të dytë", thotë Aurela Kullolli.

"Notat nuk janë gjithçka në jetë dhe sidomos në profesionin e mjekut. Megjithatë, janë një tregues. Tregues i përkushtimit, durimit, vullnetit, aftësisë. Studimi nuk do të pushojë ndonjëherë."

"Çdo gjë ia dedikoj familjes sime, e cila ka sakrifikuar për mua, gjithë këto vite", theksoi ajo.

“Kam ruajtur notën 10-të, pasi nga njëra anë nuk doja të më digjej bursa dhe kam përmirësuar dy lëndë në dy vitet e para tregon e emocionuar studentja elbasanase. Viti i parë ka qenë më i vështirë, pasi kishim mësim në disa ambiente larg njëri-tjetrit."

"E fillonim mësimin te fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe përfundonim te Qendra Spitalore. Kanë qenë periudha mjaft të ngarkuara dhe na duhej të lëviznim pafund për të ndjekur studimet rregullisht nëpër Tiranë."

Tani ajo ka sfidën tjetër, atë të specializimit dhe më tej të ushtrimit të profesionit.

"Sipas meje që të bëhesh profesionist duhet të jesh sa më afër pacientëve për të krijuar sa më shumë eksperiencë në marrëdhënie me ta. Prej kohësh mbaj veshur bluzën e bardhë, mbaj stetoskop, vëzhgoj operacionet, asistoj të aksidentuar duke i shoqëruar drejt spitalit të traumës", thekso ajo.

Është një vajzë, që ka sfiduar kohën, burokracitë, ka humbur vitet më të bukura në jetë, për të arritur qëllimin e saj; të jetë e shkëlqyer në fushën ku dëshiron, një mjeke profesioniste. Ajo është rikthyer dhe po ushtron profesionin në vendlindjen e saj, diçka tjetër e rrallë për mjekët apo edhe të diplomuarit me nota të mira në degë të tjera.

"Synimi im është Gjinekologjia pasi misioni im është t’i shërbej një jete të re që formohet dhe rritet brenda qenies njerëzore. Për momentin jam në Pediatrinë e Spitalit të Elbasanit si stazhiere dhe e kam kuptuar që dashuria ime që t’ju shërbej njerëzve është e lindur. Kjo ma shton besimin që do jem një mjeke e mirë dhe se punës do i shërbej maksimalisht. Në jetë dua të flasin veprat e mia dhe jo fjalët”, thotë Aurela.

Ajo ka marrë vlerësimet edhe nga qeveria, teksa Kryeministri Edi Rama, e ka pritur personalisht për ta përgëzuar për arritjen e saj të jashtëzakonshme.

Aurela ka lindur në Ersekë, ndërsa në moshën 6-vjeçare është shpërngulur bashkë me familjen e saj në Elbasan, ku ka ndjekur shkollën 9-vjeçare “Sulë Misiri”, ndërsa të mesmen te “Dhaskal Todri”. E ëma është punonjëse policie në paraburgim, ndërsa i ati me profesion ushtarak, por prej vitesh i papunë, me pension invaliditeti.

“Mamaja ime dëshironte të bëhesha pedagoge, por unë i kisha premtuar babait që do bëhesha mjeke vetëm për të mësuar të kujdesem për shëndetin e tij dhe të të gjithë njerëzve që kanë nevojë për mua. Që e vogël jam kujdesur për të, të gjithë më thërrisnin doktoresha e vogël dhe mua më pëlqen të më thërrasin kështu”, rrëfen Aurela.

Dhe ajo mund të jetë një pedagoge e shkëlqyer mjekësie, ashtu siç e ëma donte  të bëhej dhe po ashtu edhe një mjeke me premisa, siç i ati donte, duke iu plotësuar të dyve dëshirën e tyre të madhe.

Aurela mund të konsiderohet sot një nga modelet e rralla, burim frymëzimi për të rinjtë e tjerë, për të cilët Shqipëria ka aq shumë nevojë në këto vite të vështira tranzicioni. Do të mjaftonte që ky vend t’i japë të gjitha hapësirat dhe kushtet që i duhen "vajzës së artë" të Elbasanit dhe të Shqipërisë, për të tjera medalje ari".

/a.m/NOA/