Transmetuar më 20-09-2019, 15:04

Për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendimi i djeshëm ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, përbën një element të rritjes së pavarësisë së gjyqësorit, por vlerëson se dënimi ndaj tij ishte shkurajues për vetë akuzat e forta që i rëndonin.

Përmes një reagimi zyrtar, Ambasada e SHBA nënvizon se kjo ishte një provë e fillimit të fundit të pandëshkueshmërisë për persona me lidhje të forta.

“Vendimi i djeshëm kundër ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta", – thuhet në deklaratë.

Gjithsesi SHBA pohon se vendimi ishte shkurajues po të marrin në konsideratë akuzat e ngritura ndaj Tahirit.

“Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, – thuhet në reagim.

SHBA shprehet e gatshme për të qenë krah Shqipërisë për ecjen përpara të reformës në drejtësi.

“Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mire”, përfundon reagimi i selisë diplomatike. /k.k/noa.al/