Transmetuar më 20-09-2019, 11:53

Akademia e Forcave të Armatosura do të akreditohet së shpejti si një institucion i arsimit të lartë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në nisje të vitit të ri akademik 2019 – 2020.

Ndryshimi i statusit, që mundëson jo vetëm hapjen e studimeve të ciklit të parë bachelor, por edhe akreditimin e plotë të AFA dhe programeve të tij akademike,  do të bëhet në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit.

“Në Forcat e Armatosura po instalohet sot një sistem i mirëfilltë meritokracie dhe një nivel profesionalizmi që deri pak vite më parë ishte i paimagjinueshëm. Efektivët tanë tonë janë sot në gjendje të marrin pjesë në misione kudo ku shfaqet nevoja, për të kontribuar për sigurinë tonë kolektive, duke u angazhuar si të barabartë, krah për krah kolegëve të tyre në disa prej ushtrive më moderne e profesioniste. Kjo akademi ka sot një rol vërtet shumë të rëndësishëm strategjik për transformimin e ushtrisë shqiptare.”

E pranishme në këtë aktivitet, ministrja Besa Shahini, tha se vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave hap një faqe të re për arsimimin e ushtarakëve shqiptarë.

Për vitin 2019-2020 do të ulen në auditorët e Akademisë 182 ushtarakë nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Gjeorgjia dhe Kosova./b.l/noa.al/