Transmetuar më 19-09-2019, 13:31

Peter Olayinka u zbulua në Ballsh. Ishte vetëm 17 vjeç kur Bylis e mori dhe e aktivizoi në kampionatin shqiptar. Talenti i tij ra shpejt në vëmendjen e klubeve më të mëdha.

Pas një beteje mes Kukësit dhe Skënderbeut, atë e bleu ekipi korçar, në radhët e të cilit luajti plot tre sezone. Olayinka u shit në Belgjikë për 1.1 mln euro, shifra më e madhe që është për shitjen e një futbollisti nga kampionati shqiptar.

Para se të largohej nga Shqipëria, pati tentativa të shumta që ai të merrte nënshtetësi shqiptare e të bëhej pjesë e Kombëtares. Do të ishte i parti futbollist me ngjyrë. Por FSHF, pas presionit të lojtarëve, e la pas dore çështjen e tij.

Nigeriani kaloi te Slavia e Pragës, ku edhe shënoi ndaj Inter në Champions League, në barazimin 1-1. Zikaltërit barazuan në kohë shtesë, ndërsa pas kthimit Olayinka pranoi për mediat çeke se ishte shumë pranë Shqipërisë.

“Kishte shumë diskutime rreth kësaj mundësie dhe nuk kam qenë kundër. Në një moment isha shumë afër, le të themi 60 me 40, për t’iu bashkuar Shqipërisë. Unë mësova pak gjuhën dhe më tërhiqte ideja, që të luaja me Shqipërinë. Nuk është bërë ende realitet, por nëse çdo gjë shkon në rregull, do të dëshiroja të luaja për ata”.

Sulmuesi Nigerian Peter Olayinka shënoi për Slavia Prague në minutën e 63-të në San Siro.

Peter Olayinka u bë nigeriani i parë që shënoi në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve që nga tripleta e Yakubu për Maccabi Haifa kundër Olympiakos, 2002.

Fitorja iu mohua skuadrës së tij nga zëvendësuesi i Interit, Nicolo Barella, në kohë shtesë./a.m/NOA.al