Transmetuar më 18-09-2019, 17:49

Presidenti Ilir Meta ka adresuar mesazhe të forta politike në Kongresin e 7 të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Edhe pse jo i pranishëm fizikisht, mesazhi i tij u përcoll nga Këshilltari për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani.

Kreu i shtetit nënvizon se vendi sot është në të njëjtën situatë si para viteve 1990, ku sipas tij demokracia po shembet dhe mungojnë zgjedhjet e lira.

“Sot jemi përsëri përpara një situate, në të cilën vlerat e demokracisë po shemben para syve tanë. Kjo nuk ndodh për shkak të rrugës së zgjedhur së bashku 30 vjet më parë, por si rrjedhojë e deformimeve që ka pësuar demokracia dhe sistemi qeverisës në këto vite.

Në Shqipëri po instalohet një politikë dhe ekonomi larg interesave të qytetarëve dhe jashtë kontrollit të tyre.

Mungojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shtypen sindikatat dhe zëri i tyre”, shprehet kreu i shtetit.

Sa i përket medies, Meta shprehet se ajo është “nën thundrën e censurës dhe në shërbim të shtetit propagandistik”.

Presidenti ndalet edhe te situata ekonomike kur thotë se “borxhi publik po paralizon ekonominë. PPP –te po vrasin të sotmen, por edhe të nesërmen e financave publike. Nuk bëhet fjalë për rregullat e punës dhe të tregut. Paga minimale nuk mund të ushqejë as në 1/3 e muajit familjet e varfra. Kontrasti shoqëror po pasuron një grup oligarkësh dhe po varfëron çdo ditë punonjësit e të gjitha shtresave”.

Një ndër problemet kryesore të vendit gjatë viteve të fundit, largimi i shqiptarëve, Meta nënvizon:

“Shoqëria shqiptare po humbet perspektivën e saj, dhe bijtë e shqiptarëve largohen prej vendit amë në kërkim të një jete më të mire”.

Dhe përballë kësaj situate propozon një zgjidhje.

“Në këtë situatë ne duhet të mendojmë të gjithë së bashku për një frymë dhe model të ri politik të vendit. Për një shoqëri më sociale, të drejtë e të barabartë, për një rishpërndarje më të drejtë të të mirave materiale, si dhe për iniciativa frutdhënëse në biznese e punësim.

Së pari ne duhet të kthejmë zgjedhjet e lira në këtë vend. Të mos lejojmë të flasin në emër të shtresave në nevojë ata që po pasurohen në kurriz të varfërisë së përgjithshme dhe së bashku me botën e krimit po vjelin çdo ditë të ardhurat e përbashkëta”. /k.k/noa.al/