Transmetuar më 18-09-2019, 17:00

Si të mos mjaftojë situata aspak e këndshme, ka një perceptim të gabuar mbi gjendjen kaotike në universitetet shqiptare.

Lidhur me ngjarjen e fundit, që u bë publike në emisionin investigativ "Stop", opinioni publik është i ndarë nëse faji ishte i studentes, apo i pedagogut.

Perceptimi i gabuar është se studentja i është afruar vetë pedagogut, i cili është i arrestuar tashmë.

Në fakt problemi kryesor është se, nuk ka një standard, lidhur me vlerësimin e tyre.

Pra, përveç lekut dhe mikut, studentët në mungesë të një standardi vlerësimi, duhet që të t’u përgjigjen edhe kërkesave të tilla absurde, çka e njollos rëndë moralin e oborrit akademik.

Një student nuk merr as notën 10, as notë mesatare, dhe as notën 5, përmes një procesi transparent e të ndershëm, kjo për shkak të mungesës së standardeve, në vlerësimin e tyre.

Pezullimi i pedagogut të ekonomikut në Elbasan, i cili u filmua duke kërkuar favore seksuale nga një studente në këmbim të notës do të shoqërohet me një hetim të plotë të rastit.

Ndërkohë që Denis Himçi është shoqëruar në polici me akuzën e korrupsionit, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kërkon që drejtësia të veprojë në këto raste për të nxitur denoncimin e tyre. Sipas një sondazhi një në katër student pranon se është ngacmuar seksualisht nga pedagogët.

Rektorati i Universitetit të Elbasanit njoftoi pezullimin nga detyra të pedagogut, Denis Himçi, i cili u filmua duke kërkuar favore seksuale nga një studente në këmbim të notës.

Njoftimi erdhi pak orë pasi pedagogu 36-vjeçar i ekonomikut u shoqërua në polici për veprat penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Por të pyetur nga RTV Ora për këtë temë studentët në Elbasan pranojnë se fenomeni ekziston, por shtojnë se një sjellje e tillë nuk është zgjidhje për studentët që nuk mësojnë.

"Është përgjegjësi edhe e vetë studentëve, nëse do ta shohim pak më thellë këtë. Sepse ka edhe studentë që tentojnë të afrohen vetë me pedagogët për shkak se e marrin pak me dembelizëm të mësuarin", theksoi një studente, pas skandalit.

Jemi në periudhën e provimeve të vjeshtës dhe studentët janë përgatitur me të gjitha mënyrat për të kaluar.

Rasti i fundit në Elbasan duket se rikonfirmon një sondazh të kohëve të fundit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ku është konstatuar se një në katër studentë ka pasur kërkesa për favore seksuale.

"Në katër universitete publike ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë disa veprimtari ndërgjegjësuese me studentët, por ka realizuar edhe një anketim me këta studentë ka rezultuar që kampioni i anketuar është përgjigjur në 26.1% të rasteve ose e thënë ndryshe 1 në 4 studentë se kanë qenë viktimë e kërkesave, apo presioneve për favore seksuale nga pedagogët e tyre", theksoi Drejtoresha ekzekutive Erisa Skëndaj.

Sipas saj, pas publikimit të këtij rasti drejtësia duhet ta trajtojë ngjarjen me seriozitet në mënyrë që të nxisë denoncimin e abuzimeve të tilla edhe në të ardhmen. Po ashtu, oborri akademik ka nevojë për një pastrim nga abuzuesit dhe të paaftët, kjo me qëllim që profesionistët dhe studentët duan të mësojnë e t’i shërbejnë vendit, të gjejnë sa më parë vetveten. /a.m/NOA.al