Transmetuar më 18-09-2019, 14:51

Ministria e Drejtësisë tregoi sesi policët që merren e sigurinë e burgjeve, po i kthehen normalitetit, pasi më parë ata nuk kishin as uniforma, sikurse u pretendua se mungonte edhe barazia mes tyre.

Ministrja Etilda Gjonaj tregoi ndryshimi, përmes fotove si dhe shtoi se, ‘hap pas hapi, vetë rezultatet tregojnë se politikat tona po i japin Policisë së Burgjeve një fytyrë të re duke pësuar një transformim të thellë dhe të panjohur prej vitesh".

"Ashtu siç kemi planifikuar, dialoguar dhe premtuar, vëmendja ndaj tyre do të vazhdojë të rritet maksimalisht deri sa të ekzistojë veç shenja e barazimit me efektivët e Policisë së Shtetit, si në aspektin logjistik ashtu edhe në atë financiar", theksoi Gjonaj.

Lidhur me gjendjen e Policisë së Burgjeve, ministrja tha se ajo u trashëgua në kushte shumë të vështira.

"Edhe pse trashëguam kushte të vështira, procesi i pajisjes me uniforma, është në prag të përfundimit për të gjithë punonjësit e Policisë së Burgjeve", tha Gjonaj.

Ministrja bëri publik edhe fondin që është akorduar për pajisjen me uniforma për personelinn  e burgjeve.

"Fondi i uniformave nga buxheti i shtetit prej 177.342.000 lekësh në vitin 2018 dhe prej 106.823.952 lekësh në vitin 2019, po jep fryte të kënaqshme për standardizim, vlerësim dhe motivim të punonjësve. Kemi edhe shumë rrugë përpara", theksoi ministrja Etilda Gjonaj./a.m/NOA.al