Transmetuar më 18-09-2019, 13:03

I

Informacioni sekret për tentativën e djegies së Kuvendit më 8 qershor, është tashmë në duart e drejtuesit të Komisionit Hetimor, Ulsi Manja.

Djegia e Kuvendit u pretendua pak kohë më parë nga presidenti Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar sot, Manja konfirmoi se materiali i është vënë në dispozicion nga Presidenca dhe deputetët e Komisionit do të njihen nëse kanë nivelin e duhur të cerifikatës së sigurisë.

“Më 13 shtator ka përfunduar proceduara e plotë e vënies në dispozicion të këtij materiali nga ana e Presidentit dhe që do të jetë pjesë e dokumentacionit që kolegët e komisionit, në përputhje me ligjin me “informacionin e klasifikuar shtetëror”, do të njihen dhe do të bëhen pjesë e diskutimit të seancës ku do të shqyrtojmë dokumentet e institucioneve”, deklaroi Manja.

Në seancën ku u pyet përpara deputetëve, presidenti Meta deklaroi se shfuqizimi i 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale u mor pas informacionit se një grup i caktuar kishte planifikuar të shfrytëzonte protestën e opozitës, më 8 qershor, për të djegur Parlamentin.

Sakaq, Komisioni i Sigurisë Parlamentare ka pranuar kërkesën e 9 deputetëve për të thirrur në seancë dëgjimore, kreun e SHISH, Helidon Bendo, për informacionin e Presidentit Meta se në muajin e fushatës eelektorale do të digjej godina e Kuvendit.

Seanca kur do të thirret kreu i SHISH do të vendoset pasi komisioni të ketë administruar provat.

Lajmin e bëri të ditur anëtarja e Komisionit të Sigurisë Parlamentare, Ermonela Felaj.

"Në asnjë rast SHISH nuk është një institucion që informon Komisionin Parlamentar, të jemi të qartë. Janë informacione konfidenciale që i shërbejnë sigurisë kombëtare dhe nuk mundet të shkojnë kudo", – theksoi Ermonela Felaj.

Sakaq, po sot, ka reaguar edhe Presidenca, duke akuzuar disa portale, që paguhen nga qeveria dhe japin lajme të rreme.

Tedi Blushi, Zëdhënës i Presidencës, tha se Presidenti Ilir Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë.

Tedi Blushi, në një postim në Facebook, shkroi "se respektimi i të drejtave të qytetarëve çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen.

"I sqarojmë përsheshngrënësit se Presidenti Meta do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen", – theksoi Blushi./a.m/NOA.al