Transmetuar më 18-09-2019, 11:55

Taulant Muka, ish-zëvendësministër Arsimi për një kohë të shkurtër, i ka kërkuar sot publikisht dorëheqjen ministres Besa Shahini. Muka ka reaguar pas rastit të djeshëm, ku në një universitetet publike, një pedagog kërkonte raporte intime me një studente, për ta favorizuar me notat.

Rasti që u bë publik është maja e "ajsbergut", ndërsa ministria sipas tij, nuk ka bërë asgjë për t’u ardhur në ndihmë studentëve, që të paktën të mos përballen me të tilla situata, në të ashtuquajtura "oborre akademike".

Reagimi i plotë i Taulant Mukës:    

"Besa, të financosh arsimin në zonat rurale nuk është papërgjegjshmëri financiare, është detyrë ligjore! Edhe si shaka nuk mund të thuhet nga një ministër arsimi ajo që ju artikuluat dje. E drejta për arsim është e drejtë që i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe e përcaktuar në kushtetutë. Papërgjegjshmëri financiare është e ne shqiptarëve që ju paguajmë rrogën juve si Ministre dhe stafit në Ministri për gjendjen e mjerueshme ku arsimi është dhe për këtë vizion shkatërrimtar për vendin që po zbatoni!"

"Besa, ju duhet të jepni dorëheqjen pasi edhe pse studentët u dergjën për javë të tëra para ministrisë për veting të pedagogëve dhe arsim cilësor, ju nuk mundet t’ju përgjigjeshit kërkesave të tyre. Nëse ju do kishit bërë veting të pedagogëve, atëherë profesorë si rasti i djeshëm i denoncuar në emisionin STOP nuk do ishin rrezik për të rinjtë në auditore, dhe nuk do i kthenin auditoret në bordello dhe shitje të drogave të ndryshme, por në institucionet me të rëndësishme të  dijes dhe formimit të profesionistëve të të gjitha fushave."

"Besa, nëse keni moral dhe etikë profesionale, ju duhet të jepni dorëheqjen."/a.m/NOA.al