Transmetuar më 18-09-2019, 10:54

Zgjatet me 2 muaj mandati i komisionit Hetimor që është ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Me 7 vota pro dhe 2 kundër, Komisioni Hetimor ka miratuar kërkesën për zgjatjen me dy muaj të Komisionit Hetimor. Dy deputetët Adriatik Alimadhi dhe Halit Valteri votuan kundër.  Kjo kërkesë tashmë do ti kalojë kuvendit, për miratim në seancën e datës 3 tetor.

Më herët deputeti i opozitës së re Adriatik Alimadhi kërkoi shpërbërjen e komisionit pasi sipas tij nga dekreti i Presidentit për anulimin e 30 qershorit nuk është prodhuar asnjë situatë e rëndë dhe se po shkelen të drejtat e Presidentit.

“Unë gjykoj se ky komision nuk duhet të ekzistojë sepse nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të presidentit sepse nuk kemi shkelje të rëndë. Pra jo për ta shtyrë afatin, por nuk kemi një shkelje të rëndë që fajëson presidentin sepse presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi, apo prek interesat e shqiptarëve”, u shpreh Alimadhi.

Nga ana tjetër Manja tha se ka një plan hetimor të miratuar dhe se diskutimet e këtij lloji të propozuara nga Alimadhi do të bëhen në një seancë të posaçme pas mbërritjes së opinionit të Venecias.

“Jemi dakordësuar që në fillim që ky komision dot ë presë opinionin e Komisionit të Venecias, sepse jemi dakordësuar bashkërisht që Komisioni i Venecias të në ofrojë ekspertizën e nivelit më të lartë. Meqë veprimtaria e këtij Komisionit mbaron në datën 8 tetor, lind nevoja që ne ti drejtohemi Kuvendit për të patur një afat shtesë që ky komision të përfundojë me sukses detyrën që i ka ngarkuar Kuvendi. Unë kam propozuar që zgjatja të jetë prej dy muajsh. Por mund të jetë afat më i shkurtër ose më i gjatë, këtë ta vendosim bashkërisht”, tha Manja./b.l/noa.al/

Komisioni për shkarkimin e Metës, Alimadhi: Të shpërbëhet. Manja: Kemi një plan hetimor