Gabimi i Arkivit të Gjendjes Civile Fier, lë djemtë e qytetarit pa dokumente italiane
Transmetuar më 17-09-2019, 20:10

Emisioni  investigativ "BOOM" në RTV Ora solli mbrëmjen e sotme shqetësimin  Piro Shkurtit nga Fieri, i cili kërkon zgjidhje për një problem që ka me Arkivin e Gjendjes Civile të Fierit.

Tre fëmijët e tij që jetojnë në Itali kërkojnë të pajisen me dokumente italiane, por penalizohen vetëm nga një shkronjë e emrit të nënës së tyre. Ajo quhet Tatjana, por në certifikatën e lindjes nga akti të të tre fëmijëve të saj, emri figuron Tatjane.

Piro Shkurti: Më kërkohet një certifikatë nga Akti. Emri i gruas nuk më del me ‘a’ por më del me ‘e’. Më duhen dokumentat për fëmijët që të bëhen me dokumenta italiane dhe për këtë penalizohen po qe se nuk e marr dot. Kështu që më duhet patjetër.

Në Gjendjen Civile janë marrë me ‘a’ kurse tek themeltarja më del me ‘e’. Ai thotë shko në gjykatë. Unë në gjykatë nuk shkoj për këtë problem. Unë jam i bindur që ajo është ‘a’ , nuk është ‘e’. Po nuk u zgjidh, nuk do ta marr se nuk kam pse të shkoj në gjykatë. Nuk kam çfarë të bëj. Kam gati dy vjet dhe nuk po e zgjidh dot.

"BOOM" së bashku me qytetarin iu drejtuan zyrës së Gjendjes Civile në Fier , ku kërkuan të marrim certifikata personale nga Regjistri Themeltar i vitit 2010, një për Tatjanën dhe një për djalin e saj.

Nga një bashkëbisedim me punononjësit aty, thuhet se gabimi qëndron pikërisht tek Akti, gjatë pasqyrimit të të dhënave.

Nga kjo zyrë të dhënat dalin të sakta. Tatjana në certifikatën e saj personale e ka emrin të rregullt, po ashtu edhe te certifikata e lindjes se njërit prej djemve, emri i nënës se tij është po ashtu i saktë.

Megjithëse bashkëshorti ka këmbëngulur vazhdimisht se ky është një gabim që duhet të rregullohet lehtë nga Arkivi, nuk thuhet e njëjta gjë prej punonjësit aty.

Sipas Arkivit të Gjendjes Civile Fier, mbështetur në ligj, çdo pretendim për ndreqje gabimi në të dhënat e shtetasve rregullohet vetëm duke iu drejtuar gjykatës, pasi çdo ndërhyrje tjetër quhet jo e ligjshme.

Qytetari: Nuk e kuptoj pse duhet ta interpretosh si ‘e’ kur është ‘a’. Ma jep me ‘a’.

Punonjësi: Nuk ta lëshoj dot me ‘a’ . Unë ta lëshoj siç e ka Regjistri.

Qytetari: Ky është një penalizim që më bën ti mua.

Punonjësi: Absolutisht! Nuk e bëj unë ligjin e nuk të çoj unë në gjyq. Unë eci në bazë të ligjit.

Gazetari: Unë mendoj që është interpetim subjektiv.

Punonjësi: Ne na thonë shiko ligjin. Nuk na lejohet interpretimi. Ne kemi vetëm çfarë ka libri.

Por megjithatë, qytetari nuk ka ndërmend t’i drejtohet gjykatës. Ai e quan këtë një situatë absurde, kur në ndihmë ka shumë dokumenta të tjera zyrtare që rrëzojnë gabimin e bërë, ose të paktën interpretimin që i bëhet emrit, pasi qytetari thotë se Tatjane arrin ta lexojë vetëm punonjësi, kur figuron Tatjana gjithandej.

Gjyqi sipas qytetarit është absurd dhe i panevojshëm.

Loading...
Loading...