Transmetuar më 17-09-2019, 12:00

Me nisjen e vitit të ri shkollor ka dalë në pah edhe një fenomen aspak i këndshëm. Shkollat numërojnë gjithnjë e më pak nxënës, çka tregon se shqiptarët po largohen nga vendi gjithnjë e më shumë.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini në një deklaratë për mediat mbi nisjen e vitit të ri shkollor, tha se fenomeni nuk ka lidhje me qeverisjen.

Ministrja Shahini duke folur për shifrat e uljes së numrit të nxënësve tha se krahasuar me vitin e kaluar janë 10 mijë nxënës më pak jo 100 mijë, siç pretendon opozita.

Ajo theksoi se trendi i rënies ka nisur që nga koha e qeverisjes së PD.

“Shifrat e publikuara për numrin e nxënësve të pasakta dhe të pjesshme. Nuk është përfshirë parashkollori dhe arsimi profesional. Janë regjistruar 455 mijë nxënës, me profesionalin 480 mijë nxënës", nënvizoi Shahini.

"Në krahasim me vitin e kaluar kemi 10 mijë nxënës më pak dhe jo 100 mijë."

" Nuk janë rakorduar ende shifrat, ka ende lëvizje nga njëra shkollë në tjetrën. Rënia e numrit të nxënësve nuk është një dukuri e vendeve të fundit."

Ajo shpjegoi edhe disa arsye pse kemi një trend rënës.

"Trendi i rënies ka të bëjë dhe me numrin e natalitetit. Braktisja e shkollës ka rënë në mënyrë drastike. Trendi rënës i nxënësve ka nisur që në qeverisjen e PD”, tha Shahini.

Besa Shahini tha madje se kjo ka nisur që në vitin 1992, ka vazhduar në qeverisjen e PD, dhe vazhdon edhe sot.

“Nga viti në vit Shqipëria ka pasur 10-20 mijë nxënës më pak në gjithë sistemin parauniversitar, duke përfshirë parashkollorin, shkollën fillore, shkollën e mesme të ulët dhe shkollën e mesme të lartë. Trendi rënës ka filluar që në 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së PD, 2005-2013 dhe po vazhdon dhe sot” tha ministrja. “Trendi i rënies ka të bëjë me rënien e natalitetit që është një çështje që afekton Evropën Juglindore, që përfshin edhe Ballkanin” spjegoi ajo fenomenin.

Mbi fenomenin e uljes së numrit të nxënësve u shpreh edhe presidenti Ilir Meta.

Meta  tha se "Është koha të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë, për t’i dhënë fund antagonizmit të paprinciptë politik që ka sjellë një erozion të tmerrshëm social, jo vetëm vlerash dhe besimi”, duke nënkuptuar rotacionin politik.

Megjithatë, në perceptimin e publikut shkolla nuk jep dije, çka kjo reflektohet nga numri i lartë i injorantëve apo me të shkuar kriminale, që kanë zaptuar sektorët publikë.

Kësisoj, të ndjekësh shkollën për të pretenduar se mund të arrish diçka në këtë vend shihet e kotë. Është edhe kjo arsye pse shumë prindër ose duan t’i shkollojnë fëmijët jashtë, ose shpresojnë që një ditë të largohen bashkë me ta për një të ardhme më të mirë. /a.m/NOA.al