Drejt përfundimit/ Detaje nga stadiumi i ri kombëtar me kullën më të lartë në Tiranë
Transmetuar më 16-09-2019, 18:49

Disa fakte interesante rreth stadiumit "Arena Kombëtare", ish-stadiumi "Qemal Stafa", që do të inaugurohet në ndeshjen ndaj Francës në muajin Nëntor.

Kosto përfundimtare e stadiumit, sipas të dhënave zyrtare është 70 milion euro. Nga këto 10 milion euro janë dhuruar nga UEFA dhe FIFA, 60 milion euro janë investuar nga firma private "Gjoka Konstruksion" në partneritet me qeverinë Shqiptare.

Stadiumi nuk ka ende një emër zyrtar, por është pagëzuar me emrin "Aren Kombëtare",  ndërkohë FSHF i qëndron idesë se emri duhet të jetë komercial, ose shteti të garantojë paratë për mirëmbajtjen e tij, në të ardhmen.

Sipas FSHF-së, stadiumi nga firma që do të marrë mirëmbajtjen, do të ketë një kapacitet prej 21.777 ulëse për të pritur tifozët.

Nga 70 milion euro të shpenzuara, gati gjysma e parave janë shpenzuar për ndërtimin e kullës në krah të stadiumit.

Kulla e stadiumit (100 m) është më e larta në Tiranë, ndërsa akoma pa u mbaruar e gjithë kulla është shitur. Rrjeti i hoteleve ndërkombëtarë "Marriot" ka blerë pjesën më të madhe aty, ku do të ketë hotel dhe salla konferencash.

Stadiumi do të menaxhohet nga FSHF. Në brendësi të stadiumit do të ketë një muzeum me historikun e futbollit shqiptar.

Në stadium do të jenë zyrat e Federatave të tjera sportive si ajo e Boksit, Atletikes, Mundjes, Gjimnastikës etj. Zyrat e FSHF-së do të jenë në selinë e re që po ndërtohet te ish-kompleksi Dinamo.

Stadiumi i ri është drejt mbylljes së plotë të punimeve. Do të inaugurohet në ndeshjen kualifikuese Euro 2020, ndaj kampionëve të Botës, Francës, në muajin Nëntor./a.m/NOA.al

Loading...
Loading...