Transmetuar më 16-09-2019, 11:16

Në 77-vjetorin e Konferencës së Pezës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bëri apel klasës politike që të bashkëpunojë për hapjen e negociatave në 18 tetor.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit tha se duhet të lihen mënjanë interesat e ngushta afatshkurtra në mënyrë që e ardhmja europiane të jetë sa më e shpejtë për fëmijët tanë. Meta tha se objektivi ynë duhet të jetë integrimi i Shqipërisë.

“Jemi sot këtu të nderojmë Pezën sepse bëri sakrifica si asnjë krahinë tjetër. Peza u dogj, u përvëlua dhe u martirizua por asnjëherë nuk u dorëzua. Jemi sot në Pezë, në prag të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut, një ngjarje madhore e cila na fton të gjithëve të bashkëpunojmë sa më ngushtë.

Jo vetëm në respekt të historisë dhe sakrificë, por edhe për ruajtjen e vlerave, për trashëgiminë e patriotizmit. Shqipëria gjithçka që ka, i ka përmes sakrificave. Objektivi ynë kombëtar është integrimi i Shqipërisë. Për shkak të antagonizmit politik të paprincipë, t’i lëmë interesat e shkurta afatshkurta në mënyrë që e ardhmja evropiane e Shqipërisë të jetë më e afert”, tha Meta./b.l/noa.al/