Transmetuar më 16-09-2019, 11:02

Ditën e nesërme Tiranën e viziton Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Mësohet se në orën 15:00 Tusk do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa deri tani nuk konfirmohet në axhendë një takim me Presidentin Meta.

Vizita e kreut të KE në Tiranë vjen vetëm një muaj para vendimit të Këshillit Europian për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Dy ditë më parë, në kuadër të këtij procesi, kryeministri Edi Rama u takua në Gjermani edhe me kancelaren Angela Merkel.

Pas takimit me Merkel, Rama foli për një atmosferë pozitive, por shton se  duhet që të përpiqemi deri në fund që të mos marrim mësysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe.

Pas Shqipërisë, Donald Tusk do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, ku pritet të zhvillojë takime me krerët e politikës fqinje në Shkup.

Në 18 tetor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin përgjigje përfundimtare nga Europa e Bashkuar për negociatat me BE-në./b.l/noa.al/