Transmetuar më 15-09-2019, 12:56

Në ditën botërore të demokracisë, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili thotë se pas 30 vjetësh, krimi shtetëror i telekomanduar nga oligarkia ka shndërruar në hiç votën e lirë të shqiptarëve, duke shtuar se një minorancë e inkriminuar dhe grabitqare ka rrëmbyer këtë pushtet të patjetërsueshëm.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai thotë se se Shqipëria rrezikon të zhbëhet për shkak të ikjes masive të qytetarëve.

“15 shtator 2019 Shqipëria, që rrezikon të mbetet pa shqiptarë!!?? Sot pas 30 vjetësh, në 15 shtator në ditën botërore të demokracisë, në Shqiperi krimi shtetëror i telekomanduar nga oligarkia ka shndërruar në hiç pushtetin e votës së lirë. Sot pluralizmi është varrosur nga paratë e qelbura oligarkike. Sot një minorancë e paligjshme e inkriminuar dhe grabitqare ka rrëmbyer pushtetin e patjetërsueshëm të votës së shumicës absolute të shqiptarëve. Sot në këtë 15 shtator Shqipëria është përpara një rreziku shumë më të madh se 30 vjet më parë”, shkruan Vasili.

Sipas tij, “Sot rreziku i shpërbërjes Kombëtare është shumë më i madh edhe se sa kur diskutoheshin kufijtë në vitin 1913 sepse Shqipëria po bie në greminën e një Shqipërie pa shqiptarë. E keqja ka vetëm një emër: varrosja e votës së lirë themeli universal i demokracisë.

Neni 21 (3) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut thotë:“Vullneti popullor është themeli i autoritetit qeveritar; ky vullnet duhet të shprehet përmes zgjedhjeve të rregullta dhe të vërteta, të kryera me votë universale dhe të barabartë, dhe me votim të fshehtë, ose sipas një procedure ekuivalente të votimit të lirë”