Transmetuar më 14-09-2019, 10:07

Gjashtë ish-zyrtarë në Dibër janë vënë nën hetim, në kuadër të një operacioni policor kundër informalitetit.

Nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, procedohet penalisht ish-drejtori dhe ish-përgjegjësi i ALUIZNI-t, në Drejtorinë Rajonale Dibër, si dhe ish-drejtues të Qendrës Balneare Dibër.

Nën hetim është vënë N.K., 56 vjeç, banues në Tiranë, ish drejtor i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale, në Drejtorinë Rajonale Dibër dhe E.M., 37 vjeç, banues në Dibër, ish- Përgjegjësi i Sektorit ALUIZNI, në Drejtorinë Rajonale Dibër.

Nga kryerja e veprimeve hetimore të deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, duke qenë të emëruar në detyra drejtuese pranë kësaj drejtorie, dyshohet se me veprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën duke sjellë përfitime të padrejta personave të tjerë, si dhe kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit në mbrojtjen dhe administrimin e territorit.

Po në kuadër të masave kundër informalitetit, u proceduan penalisht I.Q, 54 vjeç, ish Drejtor i Ndërmarrjes, Qendra Balneare Dibër (llixhat); I.V., 52 vjeç, ish Përgjegjës i Zyrës së Financës, Qendra Balneare Dibër; S.K., 35 vjeç, ish Drejtor i Ndërmarrjes, Qendra Balneare Dibër dhe E.M., 27 vjeç, të gjithë banues në Dibër, ish Financier, Qendra Balneare Dibër.

Të dyshuarit akuzohen se duke qenë të emëruar në detyra të ndryshme pranë Qendrës Balneare Dibër, me veprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin, kanë sjellë si pasojë mos funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe administrativ të Qendrës Balneare Dibër, duke ju sjellë përfitime të padrejta personave të caktuar të administratës së ndërmarrjes, në bonuse transporti si dhe kanë shmangur nga taksimi mbi të ardhurat nga shpërblimet punonjësit e kësaj qendre.

Policia thotë se me këto veprime kanë cenuar interesat e ligjshme duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik kësaj ndërmarrje , në vlerën e pasqyruar në Raportin Përfundimtar dhe në Vendimin Nr. 154 datë 23.12.2016 të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndaj të dyshuarve për ndjekje të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës. /a.y/noa.al