Transmetuar më 14-09-2019, 04:37

Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë kanë mbajtur konventën, ku Fatmir Limaj është nominuar për kryeministër të Kosovës. Para qindra të pranishmëve, Limaj tha se koalicioni i tyre është bashkuar për të bërë shtetit, teksa u shpreh i gatshëm për të qeverisur me Kosovën.

I pari i Nismës, tha se ai ka te gjitha atributet për të qenë kryeministër.

“Vendi ynë ka shumë nevojë për tu bashkuar rreth një fryme, rreth një programi i cili në epiqendër e ka interesin e shtetit. Derisa ne po shpalosim idetë tona për të ardhmen, fatkeqësisht në anë të tjera ka një përplasje të gjithanshme të forcave politike, të cilët kanë vetëm një synim për të fituar zgjedhjet. Koalicioni ynë ka kuptim në fitoren e zgjedhjeve vetëm atëherë kur fiton Kosova. Ju siguroj se me fitoren e këtij koalicioni do të fitoj Republika e Kosovës. Kanë për të fituar të gjithë”, tha Limaj. Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, dhe tha se me të në krye të Qeverisë, kjo çështje do te perfundoje një herë e mirë. “Me mua do t’i kthehemi dialogut, me mua në qeveri kjo çështje do të përmbyllet një herë e mirë dhe Kosova do  të vazhdojë rrugëtimin e vet. Dëgjoj lloj-lloj ide, rrahje gjoksi rreth dialogut me Serbinë. Unë kur e them, o miq me Serbinë e kemi mbyllë në luftë e kemi çliruar Kosovën. Me Serbinë e kemi kryer negociatat dhe kemi fituar pavarësinë e Kosovës, e vetmja temë që ka mbetur pa u mbyllur me Serbinë është ndërtimi i fqinjësisë së mirë mes dy vendeve tona. Asnjë temë nuk ka Kosova me Serbinë. Kjo si bëhet kjo bëhet me mençuri me pjekuri në bashkëpunim me aleatët tanë, me partnerët tanë… Kosova sa herë ka qenë në tavolinën e bisedimeve, asnjëherë nuk ka humbur, Kosova humbë nëse kthen shpinën në tavolinën e bisedimeve. Ne nuk kemi pse frikësohemi nëse kthehemi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Prandaj unë kam marrë detyrën për  të drejtuar dialogun. Sepse ne nuk i ikim përgjegjësisë, ne jemi të gatshëm për t’u ulur në tavolinë për sado që ka nevojë. Por asnjëherë në kundërshtim me interesat e Kosovës”, u shpreh Limaj. Ndërkaq, partneri i koalicionit, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli kërkoi mbështetjen e qytetarëve për t’i dhënë Kosovës, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit. Duke folur për koalicionin NISMA-AKR-PD, Pacolli bëri thirrje që qeveria e ardhshme të përmbyllë dialogun me Serbinë me kufijtë aktual të shtetit. “Ne vendosim për Qeverinë e ardhshme që do të sjell në Kosovë zhvillim ekonomik, perspektiv për të rinjtë tanë, ata që kanë më shumë nevojë dhe për gjithë qytetarët… Ne jemi ai boshti i qendrës, i cili mundëson formimin e Qeverisë. Krejt kjo është llogaria e madhe e demokracisë, të cilën edhe qytetarët dhe të rinjtë e paguajmë. Koha e fundit është tani që Kosova të prodhojë lajme të mira. Shumë kohë ka kaluar, Kosova nuk prodhon lajme të mira. Imazhi i saj po shkatërrohet çdo ditë… Punësimi do të jetë tema kryesore, e cila do të trajtohet çdo ditë ku ky koalicion do të jetë pjesë përbërëse e saj. Ne do të luftojmë varfërinë duke krijuar vende pune, duke qenë kreativ në implementimin e reformave të ndryshme qeveritare, duke krijuar perspektiv për rininë tonë”, tha Pacolli. Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi teksa nominoi Limajn për kryeministër, e cilësuar si personin e duhur për të qeverisur Kosovën.