Transmetuar më 13-09-2019, 20:27

Shamima Begum nuk është rikthyer në Britaninë e Madhe, përmes një procesi sekret, siç është pretenduar në media të ndryshme ndërkombëtare, gjatë ditëve të fundit.

Gruaja e cila kishte lindur në Britani dhe rrjedhimisht ka edhe shtetësi britanike, shkoi disa vite më parë të luftonte krah ISIS, ku edhe u martua dy herë.

Por 19 vjeçarja, e cila ishte bërë edhe nënë,  kërkoi të rikthehej pak muaj më parë, ndërsa asaj iu refuzua  shtetësia. Është raportuar se ajo ndodhej në një kamp refugjatësh në veri të Sirisë, deri në janar të këtij viti.

Gjithashtu raportohet se vende të ndryshme i kanë bërë presion Britanisë së Madhe, që të pranojë rikthimin e saj.

Begum ishte një nga tre vajzat, që la shkollën në vitin 2015 për t’u bashkuar me ISIS.

Mediat britanike raportojnë se ajo është parë me kallashnikov në krah, gjatë luftës dhe kjo ishte arsyeja që iu hoq shtetësia.

Ajo është gjetur në kampin e refugjatëve nga një korrespondent anglez, pasi i kishte humbur dy fëmijët e parë, ndërsa kishte lindur një fëmijë të tretë në Siri.

Por edhe fëmija i tretë i vdiq, për shkak të një infeksioni.

Në këto kushte ajo kërkoi të rikthehej, ndërsa pranoi se nuk ishte bërë aspak pishman që iu bashkua ISIS.

Por refuzimi i saj nga shteti për t’u rikthyer në Britani duket se nuk është i ligjshëm, sepse ka sjellë edhe reagime të mëdha ndërkombëtare. Sipas ligjeve ndërkombëtare, një personi nuk mund t’i hiqet shtetësia nëse nuk ka një të dytë, çka krijoi edhe dyshime se zyrtarët britanikë për të fshehur gabimin, e kanë rikthyer atë në fshehtësi.

Megjithatë, lajmet janë kontradiktore mbi fatin e 19-vjeçares, pasi raportohet se asaj iu dha nënshtetësi nga vendi aziatik i Bangladeshit, gjë që u përgënjeshtrua zyrtarisht edhe nga ky shtet.

/a.m/NOA.al