Transmetuar më 13-09-2019, 17:47

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kushteve të reja që Gjermania ka vënë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ai thotë se nuk ka negociata me Edi Ramën që qeveris me krimin.

“Asnjë takim në Berlin, Washington, Paris apo Bruksel nuk e fshin dot të vërtetën skandaloze se me Edi Ramën, njeriun që futi krimin në zgjedhje dhe qeveris me të, nuk ka për të pasur nisje të bisedimeve për anëtarësim.

Bardhi i rikthehet denoncimit për krybashkiakun e Vaut të Dejës, dhe thotë se në Europë nuk shkohet me propagandë.

“Njësoj si për Valdrin Pjetrin e Shkodrës, për Agim Kajmakun e Vorës, Edi Rama po fshihet edhe për Mark Babanin. Kandidati i Edi Ramës ka mashtruar publikisht me formularin e dekriminalizimit dhe ai duhet të dalë para drejtësisë për këtë. Është fakt se Mark Babani është arrestuar, dënuar e dëbuar nga autoritetet italiane dhe ai nuk e ka deklaruar këtë. Provat për këtë janë të pakundërshtueshme dhe prokuroria mjafton të ketë vullnetin t’i marrë në dorëzim ato. Edi Rama dhe kandidati i tij për Vaun e Dejës duhet të sqarojnë publikun se çfarë i kujton data 4 Prill 1994”, vijon Bardhi.

Ai shton se as mashtrimet publike të Mark Babanit dhe as heshtja e Edi Ramës nuk e ndryshon dot të vërtetën. /k.k/noa.al/