Transmetuar më 13-09-2019, 13:29

Çfarë dëmesh mund të shkaktojë një kafe e derdhur? E shumta ndonjë njollë, apo ndonjë djegie të lehtë nëse është e nxehtë. Por në rastin për të cilin po flasim, dëmi është përtej të imagjinueshmes.

Një filxhan kafeje e cila iu derdh pilotit, bëri që një avion Airbus me 337 persona në bord të bëjë ulje emergjente. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në muajin shkurt, por vetëm këtë javë u raportua nga hetuesit britanikë të zyrës që ndjek incidentet ajrore ‘AAIB’.

Avioni në fjalë është një Airbus A330-243, i nisur nga Frankfurt, Gjermani, drejt Kankunit në Meksikë. Ulja emergjente u bë në Shannon të Irlandës dhe shkaku është vërtetë derdhja e një filxhani kafeje.

Kafeja i rrëshqiti pilotit mes këmbëve të tij dhe panelit që kontrollon audion, i cili për shkak të nxehtësisë së pijes, nisi që të shkrijë.

Kjo gjë shkaktoi tym në kabinë dhe pilotët u detyruan që të vendosin maska, shkruan noa.al.

Kompania ‘AAIB’, e cila konfirmoi lajmin nuk dha informacione lidhur me kompaninë ajrore, pro sipas Flight Security Foundation bëhet fjalë për ‘Condor Airlines’. /a.y/noa.al