Transmetuar më 13-09-2019, 09:40

Të humbësh kujtesën çdo ditë! Është kjo historia e 16-vjeçares amerikane Riley Horner, nga Illinois, e cila çdo ditë rijeton 11 qershorin, ditë në të cilën pësoi një aksident të tmerrshëm, i cili i shkaktoi një amnezi të rëndë.

Vajza u qëllua aksidentalisht me shqelma në kokë nga një grup vajzash gjatë një shfaqje kërcimi si nxitëse tifozësh, të njohura ndryshe si cheerleader.

Riley mbeti e shtrirë përtokë pa ndjenja, ndërsa pas dërgimit në spital u diagnostikua me një traumë të rëndë dhe për javë me radhë qëndroi në terapi intensive.

Goditja i shkaktoi dëmtime të shumta, duke i dëmtuar pjesërisht trurin. Për ditë me radhë vajza nuk lëvizte dot, nuk ecte, ndërsa më tej në sajë të fizioterapisë arriti që të rikuperojë një pjesë të mirë të funksioneve të saj, por jo kujtesën.

“Jam gjithnjë shumë konfuze. Kam një kalendar në derë, ku shënoj gjërat që kam për të bërë, por në mëngjes nuk mbaj mend asgjë”, tregon e reja, shkruan noa.al.

Për ti ardhur në ndihmë vetes Riley mban gjithmonë një fletore dhe një stilolaps me shënime. Bën shumë fotografi në telefon dhe video, për të rikujtuar ato që ka mësuar.

Pjesa e djathtë e trurit të saj është e dëmtuar, por asnjë mjek nuk arrin që të japë shpjegime lidhur me këtë humbje kujtese dhe as të kuptojë nëse do të zgjasë përgjithmonë apo jo. /a.y/noa.al